Gareth Southgate e pranon se dëshiron shumë që ta fitojë Euro 2024.
“Tre luanët” përballen me Spanjën në finalen e së dielës mbrëma, ndërsa një komb i tërë i ka sytë nga lojtarët e përfaqësueses.
Anglia nuk ka ngritur asnjë trofe që nga viti 1966.
Gareth Southgare, trajneri i Anglisë: Unë e di se si të punoj dhe jam kritiku im më i madh i vetes sime, duke i analizuar gjërat qartë. Dua me patjetër që të fitoj, por jam i aftë që të përballoj çdo gjë që vjen. Por jam i ndërgjegjshëm që mendimi i kritikëve nuk do të ndryshojë, sido që punë të shkojnë. Rezultati i finales do të ndikojë shumë në opinionin mbi mua. Mosha dhe eksperienca më kanë bërë të ndihem më rehat me atë që jam, çfarë bëj më mirë dhe ku duhet të përmirësohem.
Southgate konsiderohet si një nga trajnerët më të suksesshëm të Anglisë të të gjitha kohërave që e ka udhëhequr ekipin në vendin e katërt në Kupën e Botës 2018 dhe nënkampion në Euro 2020.
Ndërkohë Federata Angleze e Futbollit do të përpiqet që ta mbajë 53-vjeçarin përtej kontratës së tij aktuale edhe nëse Anglia mposhtet nga Spanja në finalen e Euro 2024 të dielën.
Marrëveshja me teknikun përfundon në dhjetor dhe bisedimet për të ardhmen e tij kanë ngrirë derisa të përfundojë eventi.
Por trajneri ka mbështetjen e figurave kyçe në institucionin e futbollit, ku mbizotëron vullneti që ai të jetë në stol edhe në Kupën e Botës 2026.
Klan News