Komisioni i Etikës dhe Disiplinës në UEFA gjobiti Federatën Shqiptare të Futbollit për shkak të incidenteve të ndodhura gjatë ndeshjes kundër Italisë më 15 qershor 2024.
Institucioni i futbollit do të paguajë shumën e 37,375 eurove.
Penalizmi financiar ka ardhur nga shqetësimet e shkaktuara nga disa tifozë shqiptarë, të cilët ndezën flakadanë gjatë ndeshjes, hodhën sende në fushë, transmetuan mesazhe të papërshtatshme, si edhe për ndërprerjen e ndeshjes nga një tifoz gjatë pjesës së dytë të lojës.
Nisur nga kjo, institucioni shqiptar i futbollit u ka bërë apel të gjithë tifozëve shqiptarë që të jenë më të përgjegjshëm dhe të shmangin krijimin e këtyre incidenteve dhe trazirave, që mund sjellin penalitete financiare dhe dëmtojnë imazhin e Shqipërisë.
FSHF informon fansat kuqezi se gjatë takimeve nuk lejohen mesazhet me natyrë politike apo etnike dhe u kërkon të tregojnë qytetari dhe përgjegjshmëri përmes një sjellje korrekte e duke respektuar rregullat dhe kundërshtarët.
Klan News