Erisa Zykaj: Raportuese për heqjen e vizave afatshkurtra me  Shqipërinë dhe Bosnjën Tanja Fajon është duke e nxitur Komisionin Evropian që të përshpejtojë procesin për të dyja vendet. Ajo është takuar me komisioneren Malstrom dhe Fyle dhe ka marrë angazhimin e tyre që raporti i Komisionit Evropian do të prezantohet në mesin e prillit nëse të dyja vendet janë gati.

Tanja Fajon: “Një nga faktorët kryesor të integrimit Evropian është heqja e kufijve të brendshëm dhe lëvizja e lirë e qytetarëve evropian. Ne duhet të sigurojmë se qytetarët gëzojnë këto të drejta brenda zonës Shengen. Është e pa pranueshme që lëvizja e lirë e studentëve, kërkuesve të huaj apo pedagogëve has pengesa për shkak të burokracisë dhe si rrjedhim qytetarë si ata të Kosovës, ose Serbisë kanë më pak të drejta për të qarkulluar siç kishin më parë. Sigurisht që ne kemi nevojë për garanci për të ndalur emigracionin e paligjshëm, por sistemi Shengen ekziston për këtë, ndërkohë ne duhet të  garantojmë qarkullimin e lirë për emigracionin e ligjshëm. Qytetarët e vendeve të Ballkanit nuk mund të krijojnë lidhjet e tyre të nevojshme me BE-në, pasi aplikimi i tyre për viza refuzohet. Ka diskriminim për të rinjtë e Ballkanit që duan të vizitojnë BE-në dhe që s’ju jepet viza dhe këtu mendoj për qytetarët e Shqipërisë dhe Bosnjës. Mendoj se në këtë aspekt ne duhet të hedhim një hap para”.

Në një intervistë telefonike, Tanja Fajon sqaron se propozimi i legjislativit Komisionit Evropian për heqjen e vizave duhet të bëhet në prill.

 Tanja Fajon: “Unë jam takuar me të dy komisionerët përgjegjës dhe për zgjerimin dhe për drejtësinë dhe punët e brendshme. Ne po përpiqemi për të hequr vizat afatshkurtra për Shqipërinë dhe Bosnjën sa më shpejt. Dëshiroj të them se ne po presim raportin e ekspertëve që ishin kohët e fundit në Shqipëri për të verifikuar përmbushjen e kushteve të udhërrëfyesit. Në po presim që Komisioni Evropian të paraqesë vlerësimin e tij në mesin e Prillit dhe në bazë të këtij vlerësimi, nëse vendi është vërtet gati atëherë ne do të shohim se sa shpejt Komisioni Evropian do ta bëjë propozimin Legjislativ. Unë kam marrë garancinë se të gjithë ne duam të ecim shpejtë, por varet nga përmbushja e kushteve nga Shqipëria. Unë i kam kërkuar të dy komisionerëve që të mos humbim më kohë, nëse të dyja vendet janë gati dhe në mes të prillit ne marrim  një vlerësim pozitiv, atëherë do të fillojmë një procedurë të përshpejtuar. Pra unë ju përsërita të dy komisionerëve apelin e Komisionit Europarlamentar për punët e brendshme për të mos humbur kohë për të prezantuar propozimin. Nëse ky propozim vjen në prill atëherë do të jem e kënaqur dhe kjo është edhe dëshira e Komisionit Europarlamentar për punët  e brendshme”.

Parlamenti Evropian ka aprovuar gjithashtu rregulloren sipas të cilës një shtetas i huaj që ka një vizë Shengen afatgjatë mund të udhëtojë tre muaj në territorin e BE-s çdo gjysmë viti, ashtu si një shtetas që ka rezidencën në BE.

Carlos Coelho: “Kjo rregullore do të bëjë të mundur që shtetasit e huaj që kanë një vizë afatgjatë nga një shtet i BE-së të qarkullojnë lirshëm për një periudhë tremujore në zonën Shengen. Kjo rregullore do të hyj në fuqi në 5 prill të vitit 2010”.

Cecilia Malstrom: “Kjo rregullore zbaton parimin e ekuivalencës mes një shtetasi të huaj që ka leje qëndrim rezidencën në një nga shtetet e BE-s me një shtetas të huaj që ka një vizë afatgjatë të tipit D. Qytetarë të huaj që kanë vizë D do të qarkullojnë çdo gjysmë viti për një periudhë tre muajsh në vendet e tjera të BE-s në të njëjtat kushte si një qytetar që ka një leje qëndrim rezidence.”.

Erisa Zykaj: BE do të përforcojë aksionin e tij të jashtëm, mishërimi më i mirë për këtë Catherine Ashton, që është Përfaqësuesja e Lartë e BE-s dhe njëkohësisht Zv/Presidentja e Komisionit Evropian. Catherine Ashton ka thënë se BE-ja nuk mund ti lejojë vetes që të dështojë në Ballkan. Në të njëjtën linjë është dhe Komisioneri për Zgjerimin Stefan Fyle, i cili do të vizitojë pesë vendet e Ballkanit javën e ardhshme.

Catherine Ashton: “Isha e kënaqur nga vizita që bëra në rajonin e Ballkanit. Në një farë mënyre Ballkani është vendlindja politikës së jashtme të BE-s. Më shumë se në çdo zonë tjetër të botës BE-ja nuk mund ti lejojë vetes që të dështoj në Ballkan. Konkluzioni që nxora ishte se rajoni është duke bërë progres, ndonëse ky progres nuk është i plotë dhe jo gjithnjë i qëndrueshëm, perspektiva Evropiane mbetet shtylla kryesore e zhvillimit të vendeve të rajonit për reforma që ato duhet të kryejnë, ashtu si dhe për objektivat tona. Siç e kam bërë të ditur progresin në integrimin Evropian varet nga angazhimi për reformat, për forcimin e të drejtave të njeriut dhe bashkëpunimi rajonal. Ne po e mbështesim politikën e zgjerimit me mekanizmat e duhura. Në Kosovë ne kemi misionin më të madh civil që është një sukses, ndërsa në Bosnjë misionin Altea që ka stabilizuar vendin”.

Erisa Zykaj: “Ashtu siç Euro Klan ju ka njoftuar në edicionet e mëparshme, zona Euro ka nevojë për rregulla të reja. Sinjali i parë vjen nga Gjermania, nga Kancelaria Angela Merkel, e cila konsideron se duhet krijuar një fond monetar evropian, që i ngjan fondit monetar ndërkombëtar, kjo pasi duhen evituar raste si kriza në Greqi”.

Stefan Fule: “Krijimi i një Fondi Monetar Evropian është prezantuar fillimisht nga Ministri gjerman i Financave. Fondi Monetar Evropian duket se është një propozim afatgjatë, se do të kërkonte ndryshimin  traktatit. Atë për të cilën ne jemi duke punuar tani, është forcimi i koordinimit të vëzhgimit të politikave ekonomike dhe mekanizmave të vëzhgimeve të vendeve anëtare. Ne nuk mund t’ju themi se cili do të jetë formati i kësaj, por ajo që duam është që të konsolidojmë qeverisjen ekonomike Evropiane dhe të bëjmë propozimin tonë kur të kemi detajet e duhura”.

Erisa Zykaj: Euroklan mbaron këtu këtë javë. Mirupafshim javën e ardhshme për ngjarje të reja mbi Evropën dhe Ballkanin./tvklan.al