Varhelyi: Përgjegjësit e masakrës së Srebrenicës shëtisin akoma të lirë

Para 25 vjetësh nga data 13 deri në 17 Korrik 1995, njësitë ushtarake serbe vranë në Srebrenicë në lindje të Bosnje-Hercegovinës mbi 8,000 burra dhe djem dhe i varrosën në varre masive. Asokohe rreth 400 ushtarë helmetëkaltër holandezë të OKB-së, ishin të armatosur në mënyrë të pamjaftueshme, për ta mbrojtur Srebrenicën, e cila qe kthyer në një strehë për rreth 25.000 refugjatë. Në Srebrenicë Evropa dështoi, deklaroi në Parlamentin Evropian Komisioneri Olivér Várhelyi.

“Evropa nuk e ka harruar atë që ndodhi në Srebrenicë dhe vetë përgjegjësinë tonë për të mos qenë në gjendje të parandalojmë dhe ndalojmë genocidin. Në Srebrenicë Evropa dështoi dhe duhemi të përballemi me atë turp. Drejtësia duhet të vihet në vend dhe të gjithë ata që janë përgjegjës për masakrën e Srebrenicës duhet të përballen me pasojat e veprimeve të tyre. 25 vjet më vonë, është më urgjente se kurrë të jepet ndëshkim për kryerësit e krimeve të luftës”.

Gjatë debatit të Parlamentit Evropian për përkujtimin e Srebrenicës, eurodeputetët theksuan nevojën për të kërkuar dënimin e genocidit, si dhe mbrojtjen e viktimave nga shfrytëzimi për qëllime të përditshme politike. Deri sot numri më i madh i autorëve të këtij krimi vazhdojnë të jenë të lirë. Shumë prej tyre kanë ikur në Serbi dhe jetojnë atje pa pasur frikë nga drejtësia. Komandanti i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiç dhe shefi i tij ushtarak Ratko Mladić, u dënuan me burgim të përjetshëm nga gjykata e OKB në Hagë. Serbia zyrtare dhe shumica e popullatës serbe vazhdojnë të mos pranojnë ta konsiderojnë masakrën si genocid.

Klan Plus