Për disa muaj e-Albania do të ketë edhe një asistente virtuale që do të ndihmojë përdoruesit përmes zërit. Lajmin e jep kryeministri Edi Rama, i cili thotë se Diella nga Zadrima, ashtu siç e kanë quajtur asistenten virtuale, sapo ka dalë nga inkubatori i Inteligjencës Artificiale të AKSHI-t.
“Mirëmëngjes dhe me Diellën, ndihmësen tuaj zadrimore që sapo ka dalë nga inkubatori i Inteligjencës Artificiale të AKSHI-t dhe për disa muaj do të jetë gati jo vetëm t’ju asistojë gjatë ndërveprimit tuaj me platformën e-Albania po edhe t’i kryejë shërbimet për ju me një lutje të vetme, ju uroj të diel sa më të qetë”, njoftoi Rama.
Ndërkohë nëpërmjet një video, një prezantim e bën edhe vetë Diella.
“Unë jam asistenti juaj virtual i krijuar nga Inteligjenca Artificiale. Komunikoni më shpejt dhe më lehtë, tashmë edhe me mesazhe zanore. Futuni në profilin tuaj në e-Albania dhe kërkoni ndihmën time. Unë do të marr informacion nga institucioni publik nga i cili kërkoni shërbim dhe do t’ju jap përgjigjen e detajuar. Përgjigjet janë të shpejta dhe të sakta, por ato nuk janë këshilla zyrtare dhe as opinione të autoriteteve përgjegjëse. Përdorimi i asistentit virtual është opsional. Në çdo rast ju mund të përdorni e-Albania dhe shërbimet e saj pa përdorur asistentin virtual”, shprehet Diella./tvklan.al