Trafiku i drogës është biznesi më fitimprurës për grupet e krimit të organizuar në vendet e Bashkimit Europian. Kjo formë paligjshmërie gjeneron çdo vit një total prej 24 bilionë euro. Për këtë shkak, më shumë se një e treta e grupeve kriminale aktive në këtë hapësirë gjeografike janë angazhuar në prodhimin, trafikimin ose shpërndarjen e lëndëve narkotike. Të dhënat janë pjesë e një raporti strategjik të Agjencisë së Bashkimit Europian për zbatimin e ligjit, i njohur si Europol. Mes grupimeve kriminale të përfshira në narko-biznes janë edhe ato shqiptare, ndërsa Shqipëria theksohet si një vendburim i hashashit.
“Shqipëria mbetet burimi kryesor i kanabisit bimor i trafikuar në BE”
, thuhej në raport. Zyrtarët e Europol konsiderojnë si shqetësuese futjen në treg të disa llojeve substancash narkotike të sintetizuara, një pjesë e të cilave shiten në platforma online. Sipas raportit, nga viti 2005 në tregjet e BE janë zbuluar 620 substanca të reja, të cilat i shpëtojnë kontrolleve doganore si produkte farmaceutike. Një prej tyre është edhe fentanyl, përdorimi i të cilës i ka marrë jetën të paktën 60 personave në Britaninë e Madhe.
Duke iu referuar drogave të forta, raporti thekson se Ballkani mbetet porta kryesore, përmes të cilit futet heroina në vendet e BE-së.
Sipas raportit, nuk mungojnë rastet, ku grupet kriminale të trafikut të drogës të jenë edhe financues të terrorizmit.
Ndërkohë, konsiderohet sfidë, lufta kundër pastrimit të parave. Sipas raportit, rrjetet kriminale vazhdimisht kërkojnë të shfrytëzojnë zhillimet më të fundit teknologjike duke shitur dhe blerë online përmes pagesave anonime apo të kriptuara./
abcnews.al