Kryeministri Edi Rama u ka kthyer përgjigje komenteve në rrjetet sociale pas evakuimit të një fëmije 1 vjeç nga Gaza mbrëmjen e së enjtes.
“Bravo reklamë e bukur, fëmijët shqiptarë i leni me vdek. Duhet me lut Zotin që ka disa shoqata bamirësie e që janë shqiptarë zemërmirë e bëjnë bamirësi se për ju…”, shkruhej në një koment.
“Ndonjë fëmijë shqiptar që kërkon ndihmë për kurim jashtë vendit as që ju ka bërë përshtypje apo s’ka problem. Vetëm të dalësh i mirë jashtë Shqipërisë ti se për brenda s’ta ndjen fare se i ke në xhep të vogël shqiptarët”, shkruhej në një koment tjetër.
E të dyve, Rama i ktheu përgjigje direkt. Ai u shpreh se qeveria shqiptare nuk i le fëmijët e saj të vdesin. Përkundrazi, sipas tij, çdo vit në pavijonet e pediatrive të vendit tonë marrin shërbim 46 mijë fëmijë. 15 mijë prej tyre e marrin ndihmën në QSUT dhe operohen mesatarisht 2400 fëmijë me sukses.
“I hodha një sy të shpejtë komenteve në postimin për familjen në Gaza që mikpritëm për t’i dhënë ndihmë urgjente mjekësore fëmijëve së tyre 1 vjeç. Tani e kam me ty Daniel dhe ty adash. Jam kurioz, kur i shkruani këto gjëra i keni seriozisht apo thjesht inati i sime vjehrre dhe bum në krevat mullixhiut. Që inati për qeverinë të çojë në pikën që të flasësh kaq përçart, kjo është t’i biesh vetes dhe të përhapësh gënjeshtra për llogari të tyre që pas gënjeshtrës janë kapur si i mbyturi pas fijes së barit dhe ju e dini për kë e kam fjalën”, tha Rama.
Rama shtoi ndër të tjera se Shqipëria dërgon mesatarisht 25 fëmijë jashtë shtetit për kurim më shumë se shoqatat, të cilat gjithsesi i falënderon për angazhimin e tyre “të pamohueshëm”.
Sa i përket rastit të evakuimit, ai tha se ka ardhur si rezultat i kërkesës së partnerëve ndërkombëtarë prej vlerësimit për shërbimin pediatrik në vendin tonë.
“Po ju përshëndes me urimin që të keni më shumë respekt për të vërtetën, pra për veten dhe më pak zell për të përhapur helm e gënjeshtra. Se ajo familja që erdhi nga Gaza, erdhi me kërkesë të partnerëve ndërkombëtarë dhe si rezultat i vlerësimit për shërbimin tonë pediatrik. Disa familje, prej të cilave njëra erdhi në Shqipëri, u çuan në disa vende të Europës ku shërbimi pediatrik vlerësohet. Në vend se të bëheni përhapës të gënjeshtrave të atyre që e dini mirë kush janë, kërkojini atyre llogari se nuk i dilet me inat kësaj pune. Inat kijeni këtë qeveri por këtu do ta keni prapë. Inati nuk është as program, as alternativë. Programi dhe alternativa janë diçka tjetër që ju mungojnë atyre që ju përdorin dhe ju si zëdhënës të gënjeshtrave të tyre”, tha Rama.
Kujtojmë se teksa fëmija 1-vjeç është shtruar në spital, babai, vëllai dhe motra e tij janë akomoduar në qendrën e refugjatëve në Babrru të Tiranës./tvklan.al