Trofeu i festivalit ndërkombëtar “Marie Kraja”, duket se i ka prirë vërtetë sopranos Evis Mula në çeljen e karrierës operistike.
E ftuar nga Luka Targetti, drejtori artistik i Teatrit “La Scala” të Milanos, vetëm pak ditë pas marrjes së çmimit, Evis Mula e ka fituar audicionin në këtë teatër duke merituar të drejtën për të ndjekur për gjashtë muaj Akademinë e famshme të “La Scala”-s.
Çka nuk nënkupton vetëm leksione, por edhe interpretime rolesh në skenën aq të lakmuar për artistë të nivelit botëror.
Nëse gjithçka ecën mbarë, Evisin e pret edhe një shkollë dy vjeçare në Akademinë e njohur, një karrierë të cilën e ka ëndërruar çdo artist shqiptar kur në vitet e para të demokracisë u largua në drejtim të Perëndimit për të arritur suksesin pas shumë sakrificash dhe duke patur si shtysë vetëm pasionin për artin.
Zbulimi i talenteve të reja ishte një nga qëllimet e mbërritjes në Tiranë i drejtorit të La Scalas, si anëtar jurie i festivalit Marie Kraja, i krijuar nga Zana Çela me idenë për t’u dhënë një shans të vërtetë artistëve shqiptarë qysh në hapat e parë të karrierës.
Por, Evis Mula është më e fundit artiste që promovon ky festival, pasi më herët artistë shqiptare si Josif Gjipali, Orjana Kurteshi, Marjana Leka, Erjona Gjyzeli, por dhe artistë të huaj si Vincenso Taormina, Simone Piaçola, Hyoung Kong, startuan karrierën e tyre operistike në festivalin “Marie Kraja”./tvklan.al