Pas 6 javësh kritikët dhe pedagogët kanë rënë në unison. Konkurrentët e edicionit të 4 të “Akademisë së yjeve” janë pa diskutim më të mirët. Vërejtjet e konkurrentëve që në mënyrë simpatike u përcollën me fillimin e spektaklit janë pritur mirë edhe nga pedagodët e këngës duke sjellë humor mes të pranishmëve dhe duke treguar se marrëdhëniet mësues-nxënës aq kontradiktore në Shqipëri në akademi funksionojnë ndryshe.
Silvester, Elhaida, Nita dhe Elda kanë fituar sfida të vështira duke sjellë në skenë denjësisht këngëtare si Beyonce apo legjendën Gloria Gener dhe pjesët e baletit neoklasik, por edhe hiphop në mënyrë tejet profesionale. Duke ofruar një spektakël cilësor që injekton standarde bashkëkohore në formate të tilla.
Edhe kolazhi me këngë folklorike ka qenë një mbyllje spektakolare e mbrëmjes së 6 të “Akademisë së yjeve”e shoqëruar me duartrokitje dhe surpriza për telespektatorët.
Konkurrenca midis talenteve më të mirë shqiptar është rritur duke e bërë akoma edhe më emocionale vazhdimin e këtij spektakli. Producentja Zana Çela shprehet se tashmë spektakli ka hyrë në zonën e tij më të nxehtë dhe çdo pjesëmarrës që eliminohet nëpërmjet rregullores së akademisë është një artist potencial që mund të vazhdojë kualifikimin e tij dhe të hyjë përsëri në sfidë.
Natën e mbrëmshme nga gara është larguar Neritani, djali vlonjat që për javë tëra ka emocionuar telespektatorët me historinë e tij të vështirë. Një konkurrent që akademia e yjeve e ka ndihmuar të integrohet në jetën e moshatarëve të tij, duke i plotësuar edhe ëndrrën për të mësuar shkrim e këndim./tvklan.al