Evropa ka regjistruar mbi 400,000 viktima me koronavirus, prej kur ka shpërthyer pandemia, ndërkohë që disa pjesë të kontinentit kanë nisur të lirohen nga kufizimet apo masat e izolimit.
Tetë muaj prej kur është shpallur pandemia, autoritetet evropiane kanë konfirmuar 400,949 viktima me koronavirus, bazuar në Qendrën Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve. Pesë shtetet që kanë raportuar më së shumti vdekje janë: Mbretëria e Bashkuar (57,551), Italia (53,677), Franca (51,914), Spanja (44,668), dhe Rusia (39,068).
Përgjatë Atlantikut, Shtetet e Bashkuara kanë prekur shifrën e 4 milionë të prekurve me koronavirus në muajin nëntor, më shumë se dyfish në krahasim me shifrat e muajit tetor. Teksa virusi vazhdon të përhapet në Shtetet e Bashkuara, vdekjet janë duke arritur në 1,500 në baza ditore.
Prej fillimit të pandemisë, autoritetet amerikane kanë regjistruar më shumë se 266,000 viktima me sëmundjen COVID-19, që shkakton koronavirusi. Ndërkohë, numri i të hospitalizuarve ka arritur në 90,000 për herë të parë, çka ka shtyrë shumë shtete dhe qytete që të rrisin masat kufizuese.
“Jemi duke bërë rrumbullakësim fatkeq”, ka thënë mjekja Leana Wen, profesoreshë në Universitetin George Washington, për kanalin televiziv, CNN. “Shumë shpejt do të tejkalojmë shifrën e më shumë se 2,000 vdekjeve, ndoshta edhe 3,000 apo 4,000 çdo ditë këtu në SHBA”.
Ndonëse përhapja e virusit është duke u ngadalësuar, falë kufizimeve të ashpra në Evropë, ky kontinent vazhdon të jetë në qendër të pandemisë, duke regjistruar më shumë raste sesa SHBA-ja, javën e kaluar.
Në Gjermani, kancelarja Angela Merkel ka thënë se pavarësisht valës së dytë të pandemisë dhe kufizimeve të reja, ky shtet ka kaluar “rrugë të gjatë” prej kur ka shpërthyer virusi në Evropë, në fillim të këtij viti.
“Sot ne dimë më shumë për mënyrat e infektimit, për mënyrat e mbrojtjes së vetes, për simptomat dhe mundësitë e trajtimit”, ka thënë ajo.
Teksa vala e dytë dhe tretë godasin hapësira të mëdha në botë, shpresat tani janë përqendruar në vaksinat e reja, të zhvilluara në Perëndim, të cilat mund të nisin të prodhuari në dhjetor dhe të jenë të qasshme për publikun e gjerë në mesin e vitit 2021.
Meqë vaksinat janë disa muaj larg shpërndarjes masive, ministri gjerman i Ekonomisë, Peter Altmaier, ka thënë se masat e izolimit të pjesshëm në ekonominë më të madhe në Evropë, mund të shtyhen deri në pranverën e vitit të ardhshëm, nëse infektimi nuk kontrollohet.
“Ne kemi tre deri në katër muaj të gjatë të dimrit përpara nesh”, ka thënë Altmaier për Die Welt. “Është e mundshme që kufizimet të zbatohen deri në muajt e parë të vitit 2021”, ka thënë ai.
Gjermania ka vendosur masa të kufizimit në fillim të muajit nëntor, që kanë rezultuar me mbyllje të bareve dhe restoranteve, ndonëse shkollat dhe dyqanet kanë mbetur të hapura. Autoritetet gjermane këtë javë kanë shtyrë masën e izolimit të pjesshëm deri më 20 dhjetor, mirëpo shteti fqinj Franca ka nisur rihapjen e pjesshme më 27 nëntor.
Dyqanet kanë nisur të shesin mallra jo të domosdoshme pasi autoritetet këtë javë kanë njoftuar se masat e izolimit mund të hiqen më 15 dhjetor nëse përmirësohen shifrat e infektimit. Veprime të ngjashme janë marrë edhe në Poloni, Holandë, Mbretëri të Bashkuar, Belgjikë, disa pjesë të Italisë dhe gjithandej në Evropë, ndonëse shumë kufizime vazhdojnë të aplikohen, për shkak të shifrave shqetësuese.
Ndërkohë, në Alpet franceze, protestat janë mbajtur për mbyllje të qendrave të skijimit, restoranteve dhe bareve, gjatë sezonit dimëror. Në Lodër, policia britanike ka arrestuar mbi 150 persona, në një protestë kundër kufizimeve të lidhura me koronavirus./REL