Hamilton synon rekordin e Schumacher
Të dielën, në pistën e Sochit në Rusi, do të zhvillohet gara e 10-të sezonale në Formula 1. Një garë në pamje të parë e ngjashme me të tjerat, por për Lewis Hamilton ka një rëndësi të veçantë.
Piloti britanik, në rast se del i pari, arrin kuotën e 91 fitoreve në Formula 1, duke barazuar rekordin e legjendës Michael Schumacher.
“Nuk jam përqendruar te numrat edhe pse këtë punë e bëjmë me dashuri dhe nën presion. Kam ardhur në Rusi për të fituar, për të mposhtur Bottas dhe makinat Red Bull, që në këtë pistë janë shumë të shpejta. 90, 91 apo 100 fitore nuk ka shumë rëndësi për momentin. Sot për sot bota është e mbushur me probleme të tjera më të mëdha. Të barazoj Schumacher do të ishte një nder për mua”.
Në sesionin e parë të provave të lira, Lewis Hamilton bëri shumë pak xhiro dhe u rendit i parafundit. Surprizë ishte vendi i dytë i australianit Daniel Ricciardo me Renault, që la pas Max Verstappen me Red Bull.
Dobët u paraqitën makinat Ferrari, që u klasifikuan në vendin e nëntë me Sebastian Vettel dhe Charles Leclerc në vendin e 11-të.
Tv Klan