Ministri i Transportit dhe Post Telekomunikacionit, Fatmir Limaj, i dha mbështetje të plotë postës dhe Telekomit të Kosovës në tenderin për operator të katërt të telefonisë mobile në Shqipëri.

Ai gjithashtu mbështeti vendimin e qeverisë shqiptare për të kaluar çështjen në kuvend, veprim ky që shmang rishpalljen e tenderit.

Fatmir Limaj: “Konkurrimi i PDK-së, dmth, shënon një etapë të re të zhvillimeve ekonomike, të marrëdhënieve ekonomike mes Kosovës dhe Shqipërisë dhe ne përshëndetim vendimin e qeverisë duke shpresuar që kjo do të përmbyllet në parlamentin shqiptar.”

Limaj tha se Kosova dhe Shqipëria janë duke ndërtuar raporte jashtëzakonisht të mira ekonomike dhe kjo për të është më e rëndësishmja.

Sipas Ministrit te Transportit edhe partneritet ndërmjet kompanive kosovare dhe atyre shqiptare që kanë për qëllim zhvillimin ekonomik të dy vendeve janë të mirëseardhura.

Fatmir Limaj: “Marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shqipërisë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës kanë kaluar krejt në një fazë të re, një fazë të bashkëpunimit të ndërsjellë. Marrëdhëniet tona duhet të ndërtohen mbi bazat e interesave të përbashkëta. Të dy shtetet do të dëgjojmë interesat e përbashkëta që do të jenë në shërbim të shteteve tona. Konkurrimi i vetë PDK-së në Shqipëri është në vazhdën e këtyre zhvillimeve të reja të marrëdhënieve tona. Ju mos harroni, po fillojmë me rrugën, rruga e cila përfundimisht po hap perspektivën e lidhjeve ekonomike dhe kulturore, sociale, turistike mes Kosovës dhe Shqipërisë dhe Kosovës po i jep një mundësi që të dalë nga një izolim që ka qenë deri më tani. Pastaj vjen siç e dini kërkesa e qeverisë së Kosovës dhe miratimin në parim nga qeveria shqiptare për dhënien në shfrytëzim të portit të Shëngjinit dhe ky është një hap drejt kësaj, drejt këtyre marrëdhënieve të reja kualitative dhe në fund dhe vetë konkurrimi i PDK-së, dmth, shënon një etapë të re të zhvillimeve ekonomike, të marrëdhënieve ekonomike mes Kosovës dhe Shqipërisë. Ne jemi të gatshëm ta mbështesim biznesin shqiptar në Kosovë. Sigurisht që jam i bindur që qeveria shqiptare është e gatshme të mbështesë biznesin e Kosovës në Shqipëri. Kjo është rruga që i afron, që i bashkon shqiptarët dhe në fund të fundit që i dëgjojnë shqiptarët interesat e përbashkëta dhe kjo është rruga moderne që na çon drejt integrimeve evropiane.”

Në tenderin për operatorin e katërt të telefonisë mobile në Shqipëri u paraqitën dy oferta, ajo e postës së Kosovës prej 7.2 milion eurove dhe ajo e Univers PG me vlerën prej 5 milion euro.

Kompania e dytë nuk i plotësoi kushtet, kështu që në tender ngeli vetëm një ofertë. Kjo është arsyeja që qeveria e lënë në dorë të kuvendit miratimin e ofertës së vetme apo shtyrjen e tenderit.

Qeveria shqiptare vlerësoi se PTK-ja duhet të shpallet fituese për shkak të vlerës, e cila është 45% më e lartë se oferta të tjera./tvklan.al