Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, pati disa takime me simpatizantë e mbështetës të kësaj force politike në qytetin e Lezhës.

Duke u ndalur në investimet e mazhorancës së djathtë gjatë këtyre 4 viteve Mediu tha se politikat në vijim të mandatit të dytë do të jenë gjithëpërfshirëse.

Fatmir Mediu: “Ne rritëm rrogat dhe pensionet për arsimtarët, për infermierët, për mjekët dhe për pensionistët. I rritëm rrogat për arsimtarët sepse janë brezi dhe grupi shoqëror ku gjithsecili nga ne duhet t’i përulet me respekt. E bëmë këtë sepse duke stimuluar ata kemi stimuluar të ardhmen tonë, kemi stimuluar edukimin e fëmijëve tanë, siç edhe edukimi i tyre sot do të jetë e ardhmja jonë nesër, prandaj kjo është pika kryesore e programit tonë, arsimim dhe edukim për të rinjtë shqiptarë, arsimim dhe edukim për fëmijët tanë për të ndërtuar një të ardhme për gjithsecilin nga ne”.

Më tej kryetari i Partisë Republikane u ndal dhe tek çështja e pronës duke nënvizuar se partia që ai drejton ka qenë forca e vetme, e cila që në fillimet e saj e ka trajtuar çështjen e pronës dhe e ka parë zgjidhjen e saj si jetike për zhvillimin ekonomik të vendit./tvklan.al