Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, ishte pranishëm në takimin e zhvilluar në Tiranë për prezantimin e kandidates për deputete, Gerta Gumeni, në zonën zgjedhore nr 45.

Në këtë takim ishin të pranishëm dhe anëtarë të kryesisë së Partisë Republikane si dhe Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo.

Gjatë fjalës së tij përshëndetëse Mediu u tha të pranishmëve se rruga e reformave të nisura do të vazhdojë me 28 Qershor me fitoren e koalicionit të djathtë.

Fatmir Mediu: “Kam bindjen se zgjedhjet e 28 Qershorit do të jenë rruga për të vazhduar në reformat në shëndetësi, në reformat në arsim, në reformat për punësim, investime në infrastrukturë, investimet në energji, në të gjithë sektorët jetikë për të ndërtuar atë që kemi shpresuar dhe ëndërruar. Atë që e shikojmë në vende të tjera, por që duhet ta kthejmë në realitet në Shqipëri”.

Nga ana tjetër Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, nënvizoi reformat në shëndetësi duke thënë se nga një sektor problematik në të shkuarën shëndetësia është duke u reformuar dhe duke ndryshuar faqe, për një sistem profesional dhe sa më pranë njerëzve./tvklan.al