Pas Ministrisë së Rendit është Ministria e Drejtësisë ajo që paralajmëron furtunë shkarkimesh dhe deri padi penale për zyrtarë apo punonjës të administratës së burgjeve. Deklarata u bë nga kreu i Drejtësisë Fatmir Xhafa gjatë forumit për përmirësimin e sistemit të burgjeve në Shqipëri ku morën pjesë edhe zëvendësministri i Drejtësisë së Austrisë dhe drejtori i përgjithshëm i burgjeve të Çekisë.

Fatmir Xhafa: “Kush nuk di të punojë, nuk dëshiron të punojë dhe aq më tepër qëllimisht punon keq të jetë i sigurt se ditët i ka të numëruar në atë karrigë që mban dhe se llogaridhënia administrative dhe ligjore do të jetë e pashmangshme. Natyrisht që nuk ndihem mirë që deri tani 5 punonjës të sistemit të burgjeve i janë nënshtruar ndjekjeve penale dhe që për disa të tjerë do të kërkoj këto ditë marrjen e masave disiplinore ose dhe fillimin e çështjes penale, por nuk mun të hesht kur konstatoj se shkelet ligji dhe për këtë shkak lihen të lirë persona të akuzuar për krimin e vrasjes, shpërdorohen fondet financiare deri në abuzime me lekët e të burgosurve, transferohen jashtë kritereve dhe procedurave ligjore të dënuar të caktuar për t’u mundësuar lirimin abuziv para afatit e të tjera të tilla. Nuk mund të tolerohet çdo shkelës ligji dhe ca më tepër ata që kanë marrë përsipër të bëjnë detyrën e garantuesit të ligjit të sigurisë së jetës dhe lirisë së qytetarit dhe të taksapaguesëve.”

Gjatë aktivitetit dyditor grupe të veçanta pune të përbërë kryesisht nga ekspertë të huaj do të paraqesin projekte për përmirësimin e dhomave të paraburgimit. Përparësi do t’i jepet shkollave të riedukimit për të miturit autorë të veprave penale. /tvklan.al