Lajme Arkiva – TV Klan 2004
Socialistët nuk kanë qëndrim mbi komisionin parlamentar hetimor mbi kryeministrin Nano, kërkuar nga 35 deputetët e opozitës, pas publikimit të një dokumenti të shërbimeve sekrete nga deputeti Nikollë Lesi, të hënën e kaluar në Kuvend, ku shefi i mazhorancës akuzohej për përfshirje në trafikun e armëve dhe vrasjen e një shtetasi në Shkallnur.
Të martën pritet që në mbledhjen e grupit, socialistët të marrin një vendim, ndërkohë që vetë kryeministri Nano i pyetur për këtë çështje deklaron:
Fatos Nano: “Nuk është nën juridiksionin tim kjo çështje.”
Nga ana tjetër, Ministri i Drejtësisë Fatmir Xhafaj, shpjegon arsyet përse nuk lejohen gazetarët të filmojnë një nga dëshmitarët kyçë të kësaj ngjarje, Sokol Koçiun, autorin e transkriptimit të dokumentit të publikuar nga Lesi.
Fatmir Xhafaj: “Por duhet të jetë e qartë përfundimisht, kur ka filluar një çështje penale në të cilën është i implikuar drejtpërsëdrejti zoti Koçiu, nuk mund të bëhet fjalë për intervista specifike me të dënuar. Ne kemi qenë shumë të hapur, kemi qenë shumë transparent, në komunikimin me mediat, nuk kemi penguar në asnjë rast që media të komunikojë me të burgosur të veçantë, por në çështjen në fjalë nuk mund të ketë dhe s’ka se si të ketë vlerë, përderisa ka filluar një çështje penale konkrete dhe prokurori i përgjithshëm jo vetëm ka filluar çështjen penale, por siç është bërë e njohur e ka marrë në pyetje zotin Koçiu për këtë çështje.”
Sipas rregullores së Kuvendit, komisioni hetimor ngrihet me kërkesë e ¼ së Kuvendit, pra ame firmat e 35 deputetëve, por kjo mbetet për t’u parë në mbledhjen e byrosë parlamentare, duke pasur parasysh dhe praktikën e mëparshme të Kuvendit ndaj kërkesës së hershme të opozitës, për ngritjen e një komisioni hetimor mbi kryeministrin për ngjarjen e Shkallnurit./tvklan.al
Gazetare: Arta Tozaj