Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Kryeinspektorja e Lartë e Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive ka bërë të ditur, se procesi për verifikimin e pasurisë së deklaruar nga kryeministri Nano, ka filluar dhe shqiptarët mund të dinë të vërtetën e pasurisë së çiftit Nano dhe më shpejtë nga sa parashikon afati ligjor.

Fatmira Laskaj: “Kontrolli ndaj verifikimit të pasurisë së kryeministrit, ka filluar. Është në procedurën e tij të një kontrolli të plotë apo të një hetimi. Pavarësisht se në ligj përcaktohet se ne kemi një afat njëvjeçar, nuk po themi, se do e lëmë atë hetim deri në atë afat maksimal që parashikon ligji”.

Kryeinspektorja Laska nuk ka pranuar të komentojë në lidhje me deklaratën e zëdhënëses së kompanisë Benz në Shtutgard, ku bëhet e ditur, se ndryshe nga çka treguar kryeministri, makinën luksoze që ai zotëron, nuk e ka dhuratë nga Benzi, por Laskaj shprehet, se ndëshkimit ligjor në rast deklarate të rremë, nuk mund t’i shpëtojë qoftë edhe kryeministri.

Fatmira Laskaj: “Hetimet po vazhdojnë për të gjithë pjesën që është e prezantuar në deklaratë dhe për atë që ka ngritur media edhe për pjesën që me shqetësim janë prezantuar në seancën parlamentare ditën e hënë”.

Gazetarja: Nëse kryeministri ka bërë deklaratë të rreme, ju a do ta çoni për ndjekje penale?

Fatmira Laskaj: “Do zbatojmë ligjin në ato kërkesa që janë të përcaktuara. E them, apo s’e them unë, e thotë ligji në atë çka ne duhet të bëjmë. Të jeni të bindur, të saktë, se ne do të zbatojmë ligjin me korrektësi, për këdo qoftë”.

Po sot, kryeinspektorja Laska ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me institucionet kryesore në vend, me qëllim, bashkëpunim ligjor mes tyre në procesin e verifikimit./tvklan.al

Gazetare: Aranita Brahaj