Lajme Arkiva – TV Klan 2004
Ka ardhur koha që kufijtë që na ndajnë me shtetet fqinje të kthehen në vija ndarëse imagjinare, duke shërbyer në ura bashkëpunimi, integrimi dhe besimi, reciprok. Kështu u shpreh ndër të tjera kryeministri Fatos Nano, në mbledhjen e Komitetit Ndërministror të Politikave të Sigurimit, lidhur me lehtësimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve.
Fatos Nano:- “Duke e parë në lidhje të pandarë lëvizjen e lirë të shtetasve, me menaxhimin e kufijve shtetëror, unë kërkoj nga ju, nga institucionet që drejtoni, gjykimin dhe konceptimin e kufijve shtetëror jo si caqe, korniza a pengesa që vjen për t’ju ngushtuar individëve a grupeve të caktuara mundësinë e lëvizjes jashtë territorit të vendit, pra çrrënjosjen e logjikës së vjetruar administrative. Ka ardhur koha që kufijtë shtetëror, këto vija që na ndajnë e shtetet fqinj, të kthehen në vija ndarëse figurative dhe imagjinare dhe të shërbejnë si urë e rrugë të gjera bashkëpunimi, integrimi, besimit reciprok e lëvizjes së lirë. Mendoj se ka ardhur koha që Ministria e Rendit të shikojë më thellë mundësinë e hartimit të marrëveshjeve bilaterale, për të krijuar grupe të përbashkëta të policisë kufitare edhe me vendet fqinj. Drejtim i dytë i rëndësishëm ku ne po punojmë për arritjen e objektivit për lëvizjen e lirë të Shqipërisë edhe në hapësirat Shengen është procesi reformues i modernizimit të shërbimit të gjendjes civile. Shërbimi ynë doganor duhet perfeksionuar, që ashtu si kudo në botë, të mos jetë vetëm institucion i fiskut që realizon të ardhura, por një strukturë e rëndësishme parandaluese dhe garantuese e sigurisë së kuijve dhe të vetë vendit”./tvklan.al
Gazetare – Danjela Kostandini