Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Në mbledhjen e Komitetit të Përgjithshëm Drejtues të PS, kryetari Fatos Nano kërkoi rritje të kontakteve të partisë drejt bazës, për të mos dështuar procesin e kuvendimit të madh. Ai kritikoi ashpër përfaqësuesit me mandatin e përfaqësimit, të cilët sipas kreut Fatos Nano nuk do të rezistojnë gjatë në seli nëse nuk do të dinë të mbrojnë veten.

Shefi i mazhorancës vlerësoi raportin dhe kritikat e përsëritura të OSBE-së dhe Bashkimit Europian, që sipas tij tregojnë se Shqipëria ka përparuar edhe pse opozita qëllimisht manipulon renditjen e fakteve. Ai ftoi lidershipin demokrat për thellimin e reformës zgjedhore, që sipas tij duhet të prekë dhe sistemin elektoral, por tha qartë, se PS nuk është për balancim të KQZ.

Fatos Nano: “Ne jemi kundër të ashtuquajturve balancime politike, të përbërjes së institucionit të KQZ dhe pikërisht për këtë shkak jemi gati të mbështesim çdo iniciativë që krijon mundësi të reja, që të gjitha palët të kontribuojnë në mënyrë të balancuar, për përmirësimin e balancimit të KQZ, duke i larguar nga militantizmi a profesional, a ligjor dhe thjesht partiak.”

Lideri socialist në mbledhjen e parë të KPD-së, që pas themelimit të Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, radhiti të dhënat që vërtetojnë sipas tij, se largimi i grupimit të të pakënaqurve është një vrimë në ujë për socialistët në rang vendi.

Fatos Nano: “Ky grup deri dje i kishte shprehur pikëpamjet e veta brenda partisë sonë, tani u rritën e dolën shtëpi më vete dhe prandaj ne e miratuam dhe ligjin e legalizimit, për shtëpitë e bëra pa leje, edhe në periferi të Tiranës, deri në 500 m2.”

Kryeministri pranoi se ndjek me vëmendje politikat e LSI-së, e cila rezulton si forcë e majtë sipas tij, por lëshoi të njëjtat akuza si ndaj saj dhe ndaj opozitës, për skenare gjeorgjiane e bullgare.

Fatos Nano: “E kam fjalën për skenarë, ku bashkohet dreqi me të birin dhe marrin pushtetin pa zgjedhje.”/tvklan.al

Gazetare: Arta Tozaj