Një nga personazhet më të rëndësishëm të20 viteve të fundit, Fatos Nano, do të rrëfejë në Opinion jetën dhe karrierën e tij.
Kjo është intervista e parë e këtij lloji dhe Fatos Nano do t’i përgjigjet pyetjeve në dy seri. Sonte në mbrëmje në orën 21:00 në Televizionin Klan do të zbuloni shumë pikëpyetje dhe misteret e 20 viteve të fundit.
Fëmijëria, studimet apo takimi i parë me Ramiz Alinë dhe gjykimet për të.
Fatos Nano: “Kujdes djalë! Sepse siç kam thënë nuk e lexon dot drejtpërdrejt”.
Blendi Fevziu: “Ai kishte një eksperiencë pune të gjatë me Ramiz Alinë?”
Fatos Nano: “I thashë, ça do të më thuash dhe detyrohem ta them publikisht tani. Është skile më thotë.”
Blendi Fevziu: “Ishte realisht i tillë Ramiz Alia?”
Fatos Nano: “Të them të drejtën…plakur”.
Marrëdhëniet e prishura me Gjermaninë, fillimi i pluralizmit dhe përse nuk hyri në Partinë Demokratike?
Fatos Nano: “Çuditërisht intelektualët i përçau pluralizmi në një kohë që duhet të ndodhte e kundërta, pra ai solidaritet midis intelektualëve përballë regjimit komunist…”.
Blendi Fevziu: “I paorganizuar dhe spontan”.
Fatos Nano: “Dhe si të them organik për jetën e intelektualit dhe të shoqërisë”.
Blendi Fevziu: “U thye me pluralizmin”.
Fatos Nano: “U thye me pluralizmin se hynë interesat e pushtetit që u lëshua nga “benzat e zinj”, nga byroja politike dhe për shkak se u krijuan hapësirat e kandidimit nëpër parti edhe në këtë rast mua më është dashur të vazhdoj të kultivoj tek vetja mungesën e aventurizmit për protagonizëm dhe qëndrova në të majtë”.
Por ardhja në krye të qeverisë në 25 Shkurt të vitit 1991 dhe refuzimi për t’u bërë kryetar i Partisë Socialiste dhe më pas pranimi do të jenë gjithashtu disa nga pikëpyetjet, të cilat ekonomisti me prirje liberale, i etiketuar kështu të paktën nga regjimi komunist, do t’u përgjigjet në emisionin Opinion.
Marrëdhëniet e tij me politikën dhe si e mori vendimin për të nxjerrë nga blloku, të ashtuquajturit “bllokmenë”, të cilët jo në pak raste bënë rezistencë.
Fatos Nano: “Shumica jo, por dmth ikën me bisht ndër shalë në shtëpitë e veta thashë dhe po sjell këtë referencë me përjashtim të Spiro Kolekës dhe ndonjë tjetri që përballë, më kuptoni, Spirua, ndërtuesi i të gjithë…”.
Blendi Fevziu: “I apartamenteve, 50 metër katrorë”.
Fatos Nano: “Të strehimit në komunizëm kishte një vilë super të bollshme, që me thënë të drejtën unë nuk e di se kush e ka sot atë se natyrisht i ishin marrë pronarëve dhe më solli një letër fletoreje aritmetike, me katrore, jo bukurshkrimi, 16 faqe të shkruara me shkrimin e tij dore ku…jo vetëm që s’duhet të dilte, por kishte nevojë për strehim suplementar se ishte bërë gjysh dhe po i rriteshin fëmijët e fëmijëve dhe i duhej një studio se e kishte mësuar kompjuterin dhe djali, etj, etj,..të kësaj natyre”.
Një rrëfim mes jetës personale të dikujt që u rrit në një lagje me paradokset e kohës dhe asaj politike, një rrëfim mes asaj që është thënë dhe ka mbetur ende pa zbuluar, një rrëfim, i cili do të hedhë dritë mbi vendimmarrjet që shënjuan dhe karrierën e mëpasshme të njeriut që mori në dorë dosjen e kryeministrit dhe konstatoi se rezervat valutore të shtetit ishin vetëm 8 milion dollarë në 25 Shkurt të ’91-shit.
Mendimi që Fatos Nano kish për drejtuesit më të lartë të kohës, intervista e tij e parë dhënë Zërit të Amerikës përmes të njëjtit telefon ku i ati i tij kish komunikuar drejtpërdrejt vite të shkuara me Enver Hoxhën dhe shumë të tjera do t’i mësoni sonte në mbrëmje në orën 21:00 në Opinion, drejtuar nga gazetari Blendi Fevziu./tvklan.al
Gazetar: Drini Zeqo