Lideri historik i së majtës dhe ish-kryeministri i vendit, Fatos Nano do të jetë sonte në mbrëmje në orën 21:00 i ftuar në emisionin Opinion. Pjesë e bisedës do të jetë analiza e situatës së trazuar pas zgjedhore dhe 19 vitet e tranzicionit shqiptar parë nga optika e një personazhi që ka qenë një element kyç në politikën shqiptare.

Pas intervistës dhënë gazetarit Blendi Fevziu, në sezonin e kaluar, intervistë e cila ngjalli shumë reagime në opinionin publik dhe atë politik. Ky rikthim i Fatos Nanos në opinion, premton të jetë gjithashtu një zë ndryshe në morinë e mendimeve dhe analizave pas zgjedhore të 28 qershorit.

Deklarata e tij se PS nuk mund t’i fitonte zgjedhjet dhe se kjo parti politike nuk mund të konkurronte përballë sfidave të integrimit dhe asnjë lloj sfide tjetër. Koalicioni mes PD-së dhe LSI-së, krijimi i qeverisë së integrimit, pozicioni që PS dhe më saktë kryetari në detyrë i saj Edi Rama, mbajti dhe po mban pas zgjedhjeve, do të vij në mbrëmje parë nga këndvështrimi i ish-kryeministrit Fatos Nano.

Analizat e ndërkombëtarëve dhe bojkoti që Edi Rama po i bën parlamentit përkrahë kushteve që ai i ka bërë qeverisë do të diskutohen gjithashtu. Cili është qëndrimi për zhvillimet më të fundit në PS-n? duke kujtuar se ai pak përpara zgjedhjeve do të artikulonte qartë se kryetari në detyrë i tanishëm Edi Rama, kish grabitur dhe blerë PS-në, e kish deformuar, përçudnuar, degraduar dhe fshirë memorien e saj politike.

Por për shumëkënd veç mendimeve të Fatos Nanos, me rëndësi dhe interes janë lëvizjet që ky politikan do të ndërmarrë në të ardhmen jo të largët. Cila do të jetë lëvizja e tij e radhës në skakierën politike shqiptare? Do të jetë aktiv në politik apo jashtë saj? Të gjitha këto do t’i mësoni sonte në orën 21:00. Në një intervistë të drejtpërdrejtë në TV Klan ku dhe ju mund të jeni protagonist falë formave të komunikimit që redaksia e emisionit opinion ju vë në dispozicion./tvklan.al