Veliaj: Opozita po përdor prindërit politikisht
Shkolla 9-vjeçare ‘1 Qershori’ në Kombinat hapi sot dyert për nxënësit, e rikonstruktuar dhe me kapacitete të dyfishuara. Nga mjediset e reja të shkollës, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj uroi nxënësit dhe mësuesit për vitin e ri mësimor, si dhe i këshilloi për respektim të masave të protokollit të higjienës.
“Lipset që këtë vit të jemi edhe më vigjilentë, edhe më të përgatitur. Jam i lumtur dhe krenar për stafin, që punoi gjatë gjithë verës për të rikonstruktuar një shkollë tjetër me kushte dinjitoze. Kemi hapur një numër rekord shkollash të reja këtë vit: në Lalm, Vaqarr, Sharrë dhe Allgjatë. Për shkollën në Pezë-Helmës, e cila u dëmtua nga tërmeti, e gjetëm menjëherë zgjidhjen, morëm në përdorim shkollën private “Vëllezërit Kajtazi”për t’i transferuar fëmijët aty, ndërkohë dje hapëm shkollën “Jeronim de Rada” dhe sot u themi mirë se vini nxënësve në shkollën ‘1 Qershori’”, tha Veliaj.
Ai kujtoi se ndryshe nga administrata e mëparshme,e cila nuk ndërtoi asnjë shkollë, vetëm këtë vit kryeqytetit i janë shtuar 4 shkolla të reja. “Për ata që, në katër vite në Bashkinë e Tiranës, nuk bënë asnjë shkollë,është kollaj të japin mend për çdo gjë; dikush që s’ka prekur top me këmbë, mund të japë mend si bëhet goli; dikush që s’ka zënë punë me dorë, sigurisht të jep mend si bëhen punët. Ama, në katër vite bënë zero shkolla!Kurse ne, vetëm këtë vit, kemi hapur 4 shkolla të reja, plus rikonstruksionet e disa të tjerave. Është shumë kollaj të hapësh panik, të përdorësh politikisht prindërit e merakosur ose fëmijët që kanë qenë të izoluar, por është shumë më vështirë të japësh zgjidhje, të bësh shkolla të reja, të rindërtosh nga e para shkolla të amortizuara, siç ka qenë “1 Qershori”, apo t’u gjesh zgjidhje problematikave që nuk varen nga ne, siç ishte rasti në Pezë Helmës”, deklaroi Veliaj.
Kryebashkiaku siguroi se Bashkia e Tiranës do të vijojë misionin e saj për ndërtimin dhe rindërtimin e shkollave. “Sot vërtet fillon shkolla, por misioni ynë nuk mbyllet këtu. Do të vijojmë me shkollat e reja që po bëjmë në të gjithë Tiranën. Viti tjetër do na gjejë edhe me më shumë shkolla; do punojmë me shkollat e reja që fillojnë nga zero, edhe me shkollat e dëmtuara nga tërmeti. Siç e patë, nuk po lëmë gur pa lëvizur, edhe fondet e qeverisë, edhe fondet e Katarit, edhe fondet e Çekisë, për t’i dhënë zgjidhje fëmijëve të Tiranës. Nuk do të kursejmë asnjë njohje, asnjë lidhje, asnjë ambasadë, asnjë partner, asnjë mik të Shqipërisë”, tha ai.
Veliaj kërkoi bashkëpunimin e prindërve dhe u bëri thirrje që të besojnë vetëm profesionistët dhe jo teoritë e konspiracionit. Duke u ndalur tek fillimi i vitit të ri arsimor në shkollën e rikonstruktuar “Jeronim de Rada”, kryetari i bashkisë theksoi se përpara se PD-ja të akuzojë me motrën e ish ministres së PD, Mirela Karabina,së pari duhet t’u tregojnë qytetarëve se cilat janë shkollat që kanë ndërtuar në Tiranë. “Dëgjoja dje këta që mallkonin shkollën “Jeronim De Rada”, kur shoh se mësuesja që po ankohej ishte motra e ish-ministres së PD, Mirela Karabinës. Thashë, dakord, ankohu, ke të drejtë të ankohesh, por kam një pyetje: Motrën e kishe ministre, shefin e motrës e kishe kryetar bashkie, më thuaj një shkollë që bëre, pastaj ankohu!Jo, po unë jam sëmurë, pse s’më ftuan në takim? Po, pikërisht se je sëmurë me Covid, siç isha edhe vetë, nuk vajta as unë në Bashki, kurse ti si zyshë e sëmurë, të shkuara, prit të shërohesh dhe më pas do ftohesh! Se tani, këtej thonë kujdesuni për shëndetin, këtej thonë pse s’na ftuat me ambasadorin? Kur ti zbulon pastaj se është motra e ish-ministres së PD, thua: Mirë nuk na jepni një dorë, mirë nuk bëni asnjë punë, të paktën lini të tjerët të punojnë”, deklaroi ai.
Veliaj siguroi se çdo premtim i dhënë do të mbahet gjer në fund, duke filluar nga pagesat ‘cash’ për shtëpitë e dëmtuara nga tërmeti ose çelësat në dorë për shtëpitë e reja. “Çdo premtim që kam dhënë, e kam mbajtur deri më sot. Synoj të mbaj të gjitha premtimet e tjera, përfshirë premtimet që ua kemi dhënë prindërve të fëmijëve, duke filluar nga pagesat ‘cash’ për shtëpitë e dëmtuara nga tërmeti ose çelësat në dorë për shtëpitë e reja që po bëjmë. Nëse janë individuale, janë në proces ndërtimi; nëse janë tek pallatet e reja, shumë shpejt hapim themelet në Kombinat. Vetëm kur mbajmë premtimet kemi privilegjin të kërkojmë që t’u shërbejmë prapë njerëzve. Në momentin kur një njeri nuk bën një shkollë, i ngel sahati, nuk i jep dot dum asnjë pune në Tiranë, sigurisht sporti i sharjes dhe i mallkimit është ndoshta i vetmi sport ku mund të luajë”, deklaroi ai.
Deputetja e PS, Blerina Gjylameti i shprehu mirënjohjen bashkisë për rikonstruksionin e plotë të shkollës “1 Qershori”, e cila plotëson të gjitha standardet. “Jam shumë e lumtur që në ditën e parë të vitit të ri shkollor të jemi në një shkollë tërësisht të rikonstruktuar. Ndryshimi është rrënjësor, kemi një shkollë me standarde”, tha ajo. /tvklan.al