Veprat e jashtëzakonshme kryhen nga njerëzit e zakonshëm, si Xhemilja. Tajari rrëfen në “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan për “heroinën” e tij, vajzën e tezes që e ka ndihmuar pa kursyer asgjë.

Gjatë periudhës që bashkëshortja  e Tajarit gjendej e shtruar në spital, Xhemilja gjente kohën jo vetëm për familjen e punën, por edhe për t’u kujdesur për të. Pasi  prindërit  e Tajarit erdhën në Tiranë, ajo u dedikonte kohë edhe atyre duke u bërë si vajzë për ta.

Tajari ndan edhe humbjen tragjike të nënës së tij për shkak të një incidenti me bombolën e gazit.

Tajar: Në vitet 2000, prindërit më erdhën në Tiranë, po aty afër Xhemiles, në Kombinat. Qëlloi që në 2015-ën, babai u sëmur me sklerozë dhe nuk dinte çfarë bënte. Kjo shkonte te mamaja ime, te tezja  e saj, pothuajse 2-3  herë në ditë dhe e ushqente babanë se prindërit e mi kishin 4 djem dhe mamaja e konsideronte Xhemilen gocën e vet. Kjo na lidhi edhe më shumë. Ne të lidhur ishim, por na lidhi më  shumë, e bëri respekti  që kishte ndaj familjes sonë dhe ne jemi të detyruar që edhe atë ta respektojmë,  është idhull për ne.

Ardit Gjebrea: Çfarë bënte Xhemilja?

Tajar: Përveç atyre që bënte Xhemilja, edhe babait…  e ushqente, e mbante, e ngrinte dhe në 2020 babai ndërroi jetë. Ngeli vetëm mamaja, ajo shkonte te mamaja 3-4 herë në ditë dhe sot mamaja ime do të ishte 90 vjeçe dhe unë e kisha në mendje se emisioni juaj ka kohë që ka dalë, ajo e ndiqte emisionin tuaj shumë dhe thoshte “lum si nëna që të ka bërë o Ardit!” S’qe fati i saj të takohej me ju dhe unë për hatër të nënës, Xhemilja e ka bërë vetë vendin e saj, por për t’i thënë që të jam unë mirënjohës, të janë prindërit e mi mirënjohës dhe gjithë farefisi që ke ti të janë mirënjohës për këto që ke bërë.

Ardit Gjebrea: Si e përjetoi Xhemilja ndarjen nga jeta të nënës suaj? Çfarë ndodhi, pse u nda nëna juaj nga jeta? Ishte mosha apo diçka tjetër?

Tajar: Mamaja ime iku aksidentalisht. Ajo po përgatiste diçka në furnelën me gaz, si duket iu derdh diçka dhe iu shua furnela, harroi ta mbyllte gazin. Pas një a dy orësh, u kujtua, kur e ndezi ajo shpërtheu dhe iku në këtë mënyrë tragjike.

Ardit Gjebrea: Kaloi disa ditë në spital?

Tajar: Jo, 6 orë vajti. Nga ora 12 deri në orën 6./tvklan.al