Çdo shtetas shqiptar mund të aplikojë për pasaportë biometrike dhe procesi për to vazhdon njëkohësisht me aplikimin për kartën e identitetit.
Edhe vogëlushët që sapo vijnë në jetë mund ta marrin një pasaportë biometrike, vetëm se nga mosha 0-16 vjeç ata duhet të shoqërohen për të aplikuar nga prindërit.
Ferdinand Pone: “Gjithkush mund të aplikojë për pasaportë dhe më qartazi këtë e përcakton udhëzimi i Ministrit të Brendshëm, i datës 8 Maj, udhëzimi nr. 308 ku midis të tjerash thotë edhe rregullin sesi bëhet aplikimi për shtetasit nga 0 deri në 16 vjeç. Meqenëse ata nuk kanë akoma zotësinë për të votuar, ata duhet të jenë të shoqëruar të paktën me një nga prindërit. Vetëm për 0-6 vjeç është dhe më e lehtë sepse për ta nuk merret një nga elementët biometrikë, shenjat e gishtave, dmth nga 6 e 16 është dhe me shenja gishtash. Kur një fëmijë është 4 vjeç, ose 5 vjeç e shtatë muaj thotë jo, juve s’mund t’ju merren shenjat e gishtave me radhë”.
Kuponin për pajisjen me pasaportë biometrike mund të blihet në pikat postare dhe kushton 6000 lekë.
Zv/Ministri i Brendshëm, duke theksuar se procesi për pasaportat po ec më së miri ashtu si edhe për kartat e identitetit, ai tërheq vëmendjen e qytetarëve për tërheqjen e letërnjoftimeve në kohë.
Ferdinand Pone: “Nuk mbaron puna deri tek aplikimi, duhet të vijnë t’i marrin, mos t’i lëmë të tërë për ditën e fundit. Dmth, ne kemi gati 770 mijë karta identiteti të prodhuara, 780 mijë të shpërndarjes dhe diku te 460 mijë të tërhequra nga qytetarët”.
Përsa i përket afatit të përdorimit të pasaportave biometrike për personat që janë nga 0 deri në 16 vjeç ai është 5-vjeçar./tvklan.al
Gazetare: Brunilda Cami