Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Ferdinand Xhaferri:- “Në morinë e problemeve që ekspozoi dita e djeshme, për zgjedhjen e kryetarit të bashkisë, problemi që ka pasur një ndikim të drejtpërdrejtë në rezultatin përfundimtar të votimit, ka qenë ai i ndarjes në përmasa të madha të familjeve durrsake për të votuar në qendra të ndryshme të votimit. Shikohet që kemi një ndryshim në skemën e manipulimit. Ndërsa në zgjedhjet lokale të vitit 2001, u përdorën bandat për të ndikuar në rezultatin e votimit, në zgjedhjet politike të vitit 2001, u përdor policia për të pasur një ndikim me rezultatin përfundimtar të votimit, ndërsa në zgjedhjet e 12 Tetorit 2003, shikohet një model i ri manipulimi, ndoshta nga pikëpamja intelektuale, më i kualifikuari. Pra këto zgjedhje nuk janë të pranueshme nisur as nga konsideratat minimale të vlerësimit të zgjedhjeve. Unë kërkojë ribërjen e zgjedhjeve në Durrës. Përqindja e votuesve që u shmangën nga e drejta e tyre për të votuar, ishte në përmasa të atilla, që ka dhënë ndikim të drejtpërdrejtë, në rezultatin përfundimtarë të votimit. Formula që është përdorur deri tani nga këto ndërkombëtar që janë përgjegjës për të monitoruar zgjedhjet në Shqipëri, që konstatojnë të meta, sikurse bëmë me zgjedhjet e vitit 2000 dhe thanë që ju t’i korrigjoni në të ardhmen, nuk kanë funksionuar. Na thanë për zgjedhjet e vitit 2000 që kishte të meta dhe duhet t’i korrigjonin në Durrës, të metat jo vetëm nuk u korrigjuan, por zgjedhjet e vitit 2001 u prodhuan me të njëjtat problematika. Na thanë pas zgjedhjeve të vitit 2001 që kemi problematika, duhet t’i korrigjojmë në të ardhmen zgjedhjet e vitit 2003 treguan që të metat nuk u korrigjuan”./tvklan.al