Fluksi i emigrantëve shqiptarë ashtu si çdo vit mbetet i lartë në ditët e para të janarit në pikat kufitare. Më shumë se 18 mijë persona janë kthyer në vendet ku jetojnë e punojnë përgjatë 24 orëve të fundit.
Vetëm në Pikën Kufitare të Kapshticës kanë dalë nga territori shqiptar rreth 6900 shtetas, ndërsa kanë hyrë nga Greqia drejt vendit tonë rreth 3000 persona.
Sipas autoriteteve, fluksi i lartë i mjeteve në dalje është menaxhuar pa vonesa nga policitë kufitare të të dy vendeve. Pala shqiptare ka hapur 5 sportele në dalje, ndërsa dogana greke punon me 3 sportele.
Lëvizje të shtuara ka edhe në Kakavijë, ku janë regjistruar 6600 shtetas në dalje dhe 2800 shtetas në hyrje. Ndërsa nga Pika Kufitare e Qafë Thanës kanë dalë nga Shqipëria 4800 qytetarë dhe 3500 kanë hyrë.
Pritet që lëvizjet e udhëtarëve të jenë të larta edhe në ditët në vazhdim.
Tv Klan