Lajme Arkiva – TV Klan 2001

Është festuar sot në Elbasan, Dita e Verës. Qyteti i luleve, ka qenë mikpritës dhe i mijëra mysafirëve të ardhur nga të katër anët e vendit, si dhe viseve shqiptare përtej kufirit. Deri në orët e vona të natës së mbrëmshme, në sheshin kryesor të qytetit, bandat frymore dhe ansambli artistik i qyteteve Durrës, Tiranë e Elbasan dhanë një koncert.

Në mëngjes në bashkinë e qytetit u organizua pritja e mysafirëve, një ndër të cilët ishte edhe Presidenti Rexhep Mejdani. Për nder të ditës së verës, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë, çeli panairin “Pranverë 2001”, në ambientet e pallatit të sportit. Më pas Presidenti Mejdani, ka zhvilluar një shëtitje në rrugët e qytetit, ku ka uruar dhjetëra qytetarë për festën. Ai vizitoi dhe muzeun etnografik dhe në fund provoi ëmbëlsirën tradicionale të kësaj feste, ballokumen.

Në gatishmëri të plotë për mbarëvajtjen e festës kanë qenë uniformat blu. Trafiku i makinave është bllokuar për rrugët kryesore, me qellim që qytetarët të shijojnë festën. Pas shiut dhe moti të keq, koha u hap si për të treguar ardhjen e vërtetë të pranverës./tvklan.al

Gazetare – Ornela Bego