Festivali Kënga Magjike ka shënuar një mbrëmje magjike edhe në gjysmëfinalen e dytë, me 23 këngët e fundit që plotësuan garën e të gjithë konkurrenteve të këtij viti. Një tjetër finaliste e Eurovizion ka çelur këtë mbrëmje.
Kejsi Tola: “Këtë radhë Kënga Magjike ka me të vërtetë këngë shumë të bukura edhe do të jetë shumë e vështirë kam përshtypjen për këngëtarët që kanë votuar për të vendosur se cila do të jetë kënga më e mirë”.
Performancat skenike, ritmet, muzika moderne, baladat, shënuan tërë garën e këtij festivali duke e veçuar krijimtarinë e tij si ndër më cilësoret në të gjitha edicionet e Këngës magjike, një fakt që i bën konkurrentet të ndihen me fat që janë pjese e kësaj gare.
Afërdita Dreshaj: “Ka qenë një ëndërr për mua çdo herë që të vij, vetëm të vij të shoh këngën magjike dhe jo vetëm të jem konkurrente. Pra do të thotë kjo është një sukses i madh që kam hyrë deri këtu të rezistoj deri në finale sepse ka këngëtar shumë me emër, këngëtarë shumë të njohur dhe ky është fillimi i karrierës time. Dmth shpresoj se ja kam filluar mirë me këngën magjike”.
Kastro Zizo: “Është një kënaqësi e madhe që jam këtu. Po më duket shumë këndshëm, mirë. po ndjehem ekzistencialist”.
Saimir Çili: “Ka një diversitet këngësh. Do thoja që ka këngë nga më profesionalet deri nga më modernet”.
“Në këtë festival ka pas shumë balada. Dmth balada pa masë të mira shumë, shumë shpresoj dhe e di që do të bëhen hite dhe në përgjithësi më kanë pëlqyer këngët. Ka pas emra të njohur, konkurrenca pak e fortë, por në përgjithësi super”.
Ndërsa këngëtaret në prapaskene ndjekin interpretimin e njeri-tjetrit gara vetëkuptohet do të jetë e vështirë për ta, aq më tepër që janë vetë këngëtaret që me votën e tyre do të zgjedhin më të mirin e Këngës Magjike 2009. Emocionin e vërtetë e tregojnë edhe në minutat e fundit të pritjes për të dalë në skenë.
Blertina Shabani: “Jam 20 sekonda para skenës dhe kam shumë emocione. Nuk e di shpresoj të kem sukses. Tani do më thërrasë Arditi”.
Orinda Huta: “Jam duke bërë një performancë oqeani, duhet patjetër një gjë e tillë në skenë dhe me zi po pres ta bëj”.
Turjan Hysko: “Shumë e bukur. Kënga Magjike është themi evenimenti më i rëndësishëm i muzikës shqiptare, është një shou mbi të gjitha. Ku këngëtarët performojnë në mënyrat nga më të bukurat dhe ne gjithmonë kemi qenë pjesë e këngës magjike dhe vazhdojmë të jemi. Sepse realisht është një produksion që të ndihmon shumë me karrierën”.
Pas ftesës që i bëri rumunes për të prezantuar gjysmëfinalen e parë, prezantuesi Ardit Gjebrea ka gjetur edhe prezantuesen e kësaj gjysmëfinaleje mes publikut, ukrainasen Katja Kongoli, duke dhuruar shoun e radhës mes përmes platesë së Pallatit të Kongreseve.
Katja Kongoli: “Unë mendoj që kjo është një diçka me shumë përgjegjësi. Është një eksperiencë shumë e bukur që po kalojmë. Me vërtetë nuk e prisja”.
Tashmë priten emrat e finalisteve të Festivalit Kënga Magjike, të përzgjedhur nga juria profesioniste që do t’i nominojë ata për çmimet e festivalit. Sonte në mbrëmje do të zbulohet magjia e këtij edicioni, sigurisht përmes një spektakli të vërtetë./tvklan.al
Gazetare: Irma Toptani