Lajme Arkiva – TV Klan 2000
Mbrëmë në Butrint nisi Festivali Ndërkombëtar i Teatrit. Skena mijëvjeçare e Butrintit do të pres dhe do të prezantojë për disa ditë rresht lojën aktoriale të shtatë trupave të huaja teatrale dhe të aktorëve shqiptar të Teatrit Kombëtar dhe të trupës Oaziz. Trupa teatrale nga Shqipëria, Maqedonia, Spanja, Greqia, Italia, Anglia, Franca dhe Rumania, do të rigjallërojnë në lojën e tyre Butrintin e vjetër.
Sipas Ministrit të Kulturës Edi Rama, i cili ndodhet në Butrint për ta ndjekur nga afër festivalin është zgjedhur skena antike e Butrintit, pikërisht sepse ky festival i dedikohet teatrit antik grek. Zyrtarisht Festivali Ndërkombëtar i Teatrove, nisi mbrëmë rreth orës 19:30. Pas fjalës përshëndetëse të ministrit Rama, festivalin e nisi trupa e parë konkurruese, ajo rumune. Dy trupat shqiptare do të konkurrojnë të fundit.
Sipas ministrit Rama, për fituesin do të ketë dhe një çmim. Ky festival do të shërbejë edhe si shkëmbim eksperiencash mes vetë trupave dhe aktorëve, apo dhe për mënyrat e menaxhimit teatral. Për disa ditë rresht, Butrinti falë këtij festivali teatral, do t’i rikthehet kohëve të arta antike, kur artdashësit do duartrokasin lojën e aktorëve të teatrit të vjetër./tvklan.al
Gazetar – Eduart Frangaj