7 Marsi i 38-të për mësuesen e ciklit fillor Valentina Demko është ndër kurorëzimet më të bukura të një përkushtimi të gjatë në arsim.
Lulet shoqërohen gjithmonë me urime të sinqerta.
Teksa vitet në arsim po i afrohen fundit, mësuesja ka një përzierje emocionesh.
“Për mua personalisht është pak e dhimbshme sepse më pëlqen arsimi, gjithmonë e kam dashur arsimin. Përpiqem që për aq kohë sa punoj me fëmijët, të jem ajo e para, e përkushtimeve që kam pasur që herët”.
Ndërsa po vëren një dëshirë të zbehtë ndaj dijes tek brezat e rinj, mësuesja thekson nevojën për një bashkëpunim më të ngushtë e të sinqertë me prindërit.
“Dëshira e nxënësve ndoshta është zbehur disi, bashkëpunimi me prindin, me mësuesin, me gjithë spektrin arsimor duhet të jetë më i përkushtuar”.
Një përqafim i ngrohtë, një lule apo një dhuratë simbolike mbeten gjithmonë një mesazh mirënjohjeje për ata që formësojnë të ardhmen e brezave të rinj.
Çdo vit 7 Marsi, dita e mësuesit përkujton hapjen e shkollës së parë kombëtare në Korçë në vitin 1887.
Tv Klan