“Lamtumirën Ismail Kadaresë më shumë se sa institucionet ia japin lexuesit e tij, ia japin ata që e kanë adhuruar, ia japin ata që ju ka zbukuruar mbrëmjet apo ditët në leximet e tyre”, kështu është shprehur gazetari Blendi Fevziu pasi ka bërë homazhet në nder të shkrimtarit të madh.

Në një pronocim për Klan News, Fevziu ka treguar më me detaje marrëdhënien e tij me kolosin e letrave shqipe teksa ka thënë se Kadare ka qenë një nga njerëzit që ka frymëzuar më shumë në jetën e tij.

Blendi Fevziu: Ismail Kadare ka qenë një nga njerëzit që më ka frymëzuar më shumë në jetën time, ka qenë një nga modelet që unë jam munduar të kem, ka qenë një mik i imi dhe e kam intervistuar shumë herë. Rreth 15 intervista gjatë 26 viteve të fundit. Kam pasur një raport miqësor me të, kemi shkuar dhe kemi ardhur. Ka qenë intelektuali më i madh që Shqipëria ka nxjerrë, është vështirë të thuash se kur Shqipëria do të ketë një personalitet të tillë sërish.

Ishte i vështirë kur nuk e kuptonin, por ishte njeri shumë normal dhe shumë i këndshëm, kishte një autoironi që shumë veta e kanë dhe kjo e bën shumë interesant. Lamtumirën Ismail Kadaresë më shumë se sa institucionet ia japin lexuesit e tij, ia japin ata që e kanë adhuruar, ia japin ata që ju ka zbukuruar mbrëmjet apo ditët në leximet e tij dhe ja japin ata të cilët do t’i ruajnë vepra e Kadaresë në bibliotekat e tyre, por edhe në zemrat dhe mendjet e tyre.


/tvklan.al