Lëkundjet e vazhdueshme të tërmetit kanë krijuar shqetësim tek banorët e Durrësit dhe jo vetëm. Në rrjetet sociale kanë dalë postime në të cilat bëhet fjalë për cunam, çka ka krijuar panik mes njerëzve në qytetin bregdetar.
Por drejtuesi i emisionit “Opinion”, Blendi Fevziu, sqaroi këtë të enjte se në detin Adriatik nuk mund të ndodhë cunam. Ndërkohë, ai u ndal edhe tek postimet e tjera, të cilat i konsideroi histori konspirative, paranoja dhe idiotësira të këtyre personave që i hedhin në internet.
“Nuk ka cunam në Adriatik. Nuk mund të ndodhë cunam në detin Adriatik. Të jenë të qetë qytetarët e Durrësit se vë re se ka një ankth. Një tjetër postim në rrjetet sociale referon një profeci të 400-500 viteve më parë që Durrësi do të zhduket në vitin 2019. I them kujtdo të marri që poston gjëra të tilla që nuk është as koha as momenti për historitë e veta konspirative, paranojat ose edhe idiotësinë e tij. Nuk ka vend për panik. Ajo që mbetet shqetësuese janë lëkundjet e tërmetit që nuk po ndalojnë dhe është krejtësisht normale të ngjallin shqetësim. Çdo gjë tjetër është konspirative”, tha Fevziu. /tvklan.al