Aktori i njohur turk Aras Bulut İynemli ka reaguar pas suksesit ndërkombëtar të filmit “Mrekulli në qelinë Nr. 7” (Miracle in Cell No. 7). Filmi ka kaluar çdo parashikim të producentëve dhe është bërë një nga filmat më të ndjekur në historinë e kinematografisë turke.
Bëhet fjalë për një dramë që i ka bërë të gjithë të qajnë. Historia e një babai të sëmurë me probleme mendore dhe vajzës së tij të vogël, të cilët bëjnë çdo gjë për të qenë bashkë. Ai dënohet me vdekje për një krim që nuk e ka kryer.
“Rrugëtimi i “Mrekullia në qelinë Nr. 7” filloi me dashuri. Ne e donim shumë historinë tonë. Filmi ynë vazhdon të krijojë mrekullinë e tij. Ai arriti te shumë njerëz në të gjithë botën në ditët më të vështira. Le t’i qëndrojmë pranë njëri-tjetrit afër me dashuri. Faleminderit për interesimin tuaj. Qëndroni të shëndetshëm dhe të sigurtë”, shkruan aktori në një postim në Instagram.
Filmi është renditur në 10 filmat më të ndjekur të momentit në platformën “Netflix” gjatë kësaj jave. Është një ribërje e filmit koreano-jugor me të njëjtin titull të shfaqur në vitin 2013. Versioni turk vjen me regji të Mehmet Ada Öztekin. Yjet e këtij filmi ju i njihni edhe nga serialet e transmetuara në Tv Klan, vogëlushja Ova (Nisa Sofiya Aksongur) e keni parë në serialin “Kuzgun” që ka luajtur skenat e Dilës si fëmijë, ndërsa Memo (Aras Bulut İynemli) në serialet “Çukur” dhe “I infiltruari”. /tvklan.al