Zakonisht, historia klasike e një njohjeje rrjedh fillimisht mes çiftit e më pas me prindërit respektivë. Në rastin e Esmeraldës nuk ka ndodhur kështu. Ajo tregon në “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan se së pari është njohur me vjehrrën, Manushaqen e cila ishte kliente në dyqanin e luleve ku ajo punonte.
Esmeralda dhe Manushaqja u bënë mikesha shumë të mira e kjo e fundit i tregoi gjithë pengjet e humbjet e vështira të jetës. Një ditë, Manushaqja i kërkoi që të njihte djalin e saj të vetëm që sot është bashkëshorti i Esmeraldës.
Me humor, ajo thotë se e kishte përfytyruar njësoj si vjehrrën, por është kjo e fundit që e surprizon çdo përvjetor martese duke i zbukuruar dhomën me petale, i bën dhurata e surpriza. Megjithatë, te bashkëshorti ka gjetur gjëra edhe më të vlefshme se surprizat.
Esmeralda: Për mua është personi më i shtrenjtë.
Ardit Gjebrea: Që të bën gjithë këto gjëra!
Esmeralda: Ka bërë gjithçka për mua, atë e kam njohur para bashkëshortit tim. Unë punoja në një dyqan lulesh dhe vinte e blinte gjithnjë lule sepse shkonte në varreza. Ka humbur djalin e saj dhe ne u bëmë mikesha shumë të mira.
Ardit Gjebrea: Kishte humbur djalin e saj, në çfarë moshe?
Esmeralda: 19-20 vjeç. Bashkë ne u bëmë mikesha shumë të mira sepse ndërkohë që vinte blinte lule, ne komunikonim bashkë, bënim biseda të gjata por ajo ka një mirësi që shumë rrallë njerëz e kanë. Edhe pse me gjithë këto dhimbje të forta që ajo ka kaluar në jetë, ajo dhimbjen e vet e ka kthyer në forcë. Në fillim unë nuk e pyesja shumë sepse nuk doja ta trishtoja, nuk doja ta prekja aty ku asaj i dhembte se normalisht dihet, kur tjetri ka dhimbje kuptohet derisa arriti një moment që ajo vetë më ka treguar historinë e kësaj humbjeje. Përveç kësaj humbjeje, përpara kësaj ka humbur edhe një vëlla në moshë shumë të re. Ka shumë pengje në jetë, shumë vuajtje. Ne u bëmë shumë të afërta bashkë pa e ditur që ajo vinte vazhdimisht dhe kishte diçka në mendjen e saj. Ajo vinte vazhdimisht dhe më sugjeroi që të njihesha me çunin e vet të vetëm, bashkëshorti im aktual.
Ardit Gjebrea: Pra po flet për vjehrrën tënde.
Esmeralda: Po.
Ardit Gjebrea: Që quhet?
Esmeralda: Manushaqe.
Ardit Gjebrea: Po kur të tha që njihu me djalin tim, çfarë mendove?
Esmeralda: Unë mendova se djali i vet do t’i ngjante shumë nënës së vet.
Ardit Gjebrea: Në ç’kuptim?
Esmeralda: Në shumë kuptime. Ajo është shumë e dashur, është shumë bukuroshe, është shumë e mirë. Burri im është e kundërta e saj.
Ardit Gjebrea: Po të paktën i shëmtuar nuk është?
Esmeralda: Jo, por edhe Manushaqes nuk i ngjan.
Ardit Gjebrea: Se kur thua e kundërta, atëherë të të pyes, nuk është i mirë?
Esmeralda: Unë e doja bashkëshortin tim të ishte i dashur, romantik, të bënte surpriza, por këto surpriza…
Ardit Gjebrea: I dashur është, mund të mos jetë romantik por i dashur është.
Esmeralda: Mirë, përtej kësaj ai të gjitha surprizat, ti e përmende vetë, mua m’i bën Manushaqja në emër të tij. Unë tek Elisi kam gjetur qetësinë shpirtërore, atë lirinë që çdo femër do të donte ta kishte në krah, një bashkëshort që të jep liri të bësh çfarë të duash./tvklan.al