Pas nëntë ditësh festivali ndërkombëtar i filmit shënoi mbrëmjen e djeshme fundin e edicionit të tij të parë.

Filmi më i mirë të cilit i shkoi dhe “Gladiatori i artë” ishte ai çek, “I served the King of England”, “I kam shërbyer mbretit të Anglisë” i regjisorit çek, Jiri Menzel, një film për të cilin çmimet nuk kishin munguar edhe më parë.

Jiri Menzel: “Është gjithmonë një kënaqësi e madhe. Është hera e parë që jam në këtë vend kaq të mrekullueshëm dhe shpresoj që të mos jetë hera e fundit”.

Menzel na tregon përjetimin e tij si pjesë e këtij festivali duke pranuar kënaqësinë që u nderua si filmi më i mirë ndër 16 pjesëmarrësit.

Jiri Menzel: “Jam shumë i lumtur që e fitova këtë çmim në Durrës. Më ka emocionuar shumë kjo gjë.

Gazetari: Po për filmat e tjerë, cili është mendimi për filmat nëse i keni parë ndonjë nga filmat e tjerë pjesëmarrës?

Jiri Menzel: “Unë sot kam ardhur nga Praga kështu që nuk kam parë asnjë film nga festivali”

Gazetari: Do të donim t’ju pyesnim nëse aktualisht jeni duke punuar me ndonjë projekt?

Jiri Menzel: “Po bëj teatër. Jam duke bërë teatër.”

Gazetari: Do t’i riktheheni sërish kinematografisë?

Jiri Menzel: “Në qoftë se do gjej temë të mirë dhe do ketë kushte të mira sigurisht që po”.

Kinemaja shqiptare ishte e pranishme në këtë festival me katër filma, por çmimi kombëtar i shkoi regjisorit Fatmir Koçi për filmin, “Koha e kometës”, bazuar në romanin, “Viti i mbrapsht” i Ismail Kadaresë.

Fatmir Koçi: “Ishte një rast i veçantë që neve arritëm të bëjmë një festival ndërkombëtar. Më mirë që ndodhi dhe mendoj që kjo traditë duhet të vazhdojë”.

Në të njëjtën kohë regjisori Koçi beson dhe nuk beson tek çmimet e jurisë, ndërsa falënderon aktorin Blerim Destani për këtë bashkëpunim, i cili me pjesëmarrjen pati edhe premierën.

Fatmir Koçi: “Unë edhe besoj dhe nuk besoj tek juritë, kështu që ato e dinë vetë çfarë vlerësojnë, por mua më vjen mirë edhe jam i gëzuar dhe i kënaqur që kam punuar me njerëz të përkushtuar si grupi i realizimit, si aktorët e Shqipërisë, e Kosovës, dhe ata që janë me shqiptarët e Maqedonisë. Përshëndes këtu përkushtimin e aktorit të talentuar, Blerim Destani”.

17-vjeçari, Nazif Muharremi, për interpretimin e rolit të Mirushit në filmin e regjisorit norvegjez, Marius Holst, u nderua me çmimin special nga juria e festivalit.

Kjo është aktorja Ornela Kapedani në filmin “Correction” të regjisorit grek, Thanos Anastopoulos, e cila u shpall si aktorja më e mirë.

Ndërsa një film, i cili që në shfaqjen e tij premtoi të rrëmbente çmim, ishte “Zivi i mrtvi”, “Të gjallët dhe të vdekurit”. Loja perfekte e aktorëve bëri që për ta të jepej çmimi i aktorit më të mirë.

Çmimi i karrierës ka shkuar për regjisoren, Xhanfize Keko, ndarë nga jeta pak kohë më parë dhe aktorit të madh, Sandër Prosi, çmime këta që u tërhoqën nga djemtë e artistëve./tvklan.al

Gazetari: Drini Zeqo