Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko pas mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës tha se ekonomia shqiptare pritet të rritet me ritme të qëndrueshme në afatin e mesëm, ndërkohë që inflacioni do të kthehet në objektivin prej 3% gjatë vitit 2025.
“Kjo ecuri do të ndihmohet nga stabilizimi i çmimeve në tregjet ndërkombëtare dhe nga një ecuri më e qëndrueshme e kursit të këmbimit”, tha Sejko.
Lidhur me luhatjet e monedhës europiane, Guvernatori Sejko theksoi se vetëm gjatë 2024 Banka Qendrore ka tërhequr nga tregu rreth 1 miliardë Euro.
“Banka e Shqipërisë ndërhyn në tregun valutor me kritere të përcaktuara qartë sipas kërkesave ligjore dhe rregullatorë që ajo ka”, tha ai.
Për Sejkon vërehet edhe një rritje e shpejtë kredisë.
“Kredia e dhënë për sektorin privat u rrit me 15.8% në tremujorin e katërt, duke e çuar mesataren vjetore të rritjes së kredisë në 14.4%”, tha Sejko.
Nisur nga ky vlerësim, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi qe të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 2.75%.
Tv Klan