Shqipëria duket një dritë në hartën e zymtë ekonomike të Evropës, me entet ndërkombëtare financiare që ende parashikojnë një rritje pozitive prej 1.2% për këtë vit.
Kështu shkruan prestigjiozja, Financial Times, e cila vlerëson dhe kredinë tregtare prej 240 milion eurosh që qeveria shqiptare arriti të sigurojë nga Banka Gjermane dhe Alpha Bank, duke theksuar se kjo arrihet në një kohë kur fqinjët e Shqipërisë po kërkojnë ndihma financiare nga Fondi Monetar Ndërkombëtar.
Financimi lejon qeverinë e djathtë të kryeministrit Sali Berisha, të kompletojë vazhdimin e autostradës për në Kosovë, një projekt infrastrukturor kyç, shkruan më tej e përditshmja britanike.
Ajo citon gjithashtu dhe guvernatorin e Bankës Qendrore, Ardian Fullani, i cili thotë se kredia ndërkombëtare i ka dhënë një shtysë besimit të investitorëve të huaj në lidhje me Shqipërinë dhe ka ndihmuar në mbajtjen e likuiditetit në tregun e brendshëm.
“Ne po e kalojmë krizën me më pak dhimbje se të tjerët, thotë Fullani, duke sqaruar se kërkesa është ende e fortë dhe deficit buxhetor është nën kontroll”.
Sipas guvernatorit Fullani zgjerimi i kredisë mendohet të bjerë këtë vit nga 36 në 15% dhe kjo është një “pasuri” në këtë kohë”.
Përsa i përket sistemit bankar ai thotë se bankat austriake, italiane dhe greke, të cilat kontrollojnë rreth 70% të aseteve në sistemin bankar në Shqipëri janë të kapitalizuara mirë, me fitim dhe kanë shfaqur performancë të fortë gjatë serive të testeve të nisura vitin e fundit.
Financial Times shkruan gjithashtu se ndonëse eksportet kanë pësuar rënie investitorët po tregojnë ende interes.
Tirana kohët e fundit nënshkroi projekte energjetike me vlerë mbi 3 miliardë euro, me kompani italiane, austriake dhe norvegjeze për t’i dhënë fund kështu shkëputjeve të gjata dhe kronike të energjisë dhe kthimin e Shqipërisë në një eksportuese rajonale.
Gazeta citon zotin Philip George, një prej drejtuesve të firmës zvicerane, Zumax, që kërkon të investojë 400 milion euro për modernizimin e portit të Vlorës, i cili shprehet se beson se Shqipëria do të bëhet një qendër e tregtisë rajonale./tvklan.al