Lufta politike e dominuar nga armiqësia mes kryeministrit Fatos Nano dhe liderit të opozitës Sali Berisha e ka mbërthyer progresin që Shqipëria duhet të bëjë në lëvizjen drejt aderimit të mundshëm drejt Bashkimit Evropian. Kështu shkruan në faqet e saj gazeta britanike “Financial Times” e cila thotë se për këtë situatë shumë shqiptarë fajësojnë politkanët e tyre. Klasa politike, e cila e ka vendosur veten mbi njerëzit, është një pengesë mjaft konkrete për progresin e vendit, citon gazeta shkrimtarin Ismail Kadare. Ekziston një pikëpyetje e madhe mbi dëshirën e elitës politike për të hyrë në BE. Opozita do ta shihte çdo sukses në këtë drejtim si një dhuratë për qeverinë dhe mafja pa dyshimin më të vogël nuk e do anëtarësimin e Shqipërisë, thotë Kadare duke shtuar se shqiptarët i besojnë institucioneve evropiane më shumë se atyre vendase. I ndërgjegjshëm për një ndjenjë të tillë, i dërguar i Komisionit Evropian në Tiranë Lutz Salzmann pret nga vendet antare të BE-së të ngushtojnë hapësirën e qeverisë për t’i shpëtuar implementimit të reformave që në shumicën e rasteve janë miratuar vetëm në letër. Një marrëveshje e përkohshme e partneritetit që mund të aprovohet nga ministrat e jashtëm të BE-së në fund të këtij muaji do të vendosë ndoshta një kalendar të caktuar për zbatimin e reformave administrative dhe gjyqësore. Alternativa është të presim për kohë më të mira, është shprehur Salzmann duke iu referuar frikave se në një moment të caktuar të huajt do të heqin dorë nga përpjekjet për të ndihmuar Shqipërinë. Për gazetën “Financial Times”, jo e gjithë pamja është e zymtë, ndonëse përparimi varet gjerësisht nga ndërhyrja ndërkombëtare duke filluar që nga zgjedhjet dhe deri te krimi i organizuar. Me ndihmën e ekspertëve nga BE-ja dhe Shteteve të Bashkuara Shqipëria ka reduktuar ndjeshëm trafikimin e qenieve njerëzore përmes kufijve të saj, por tanimë në vëmendjen e zbatuesëve të ligjit janë lëndët narkotike. Sipas zyrtarëve evropianë, asistenca perëndimore po jep frytet e saj dhe kjo pavarisht shqetësimeve se disa politikanë shqiptarë kanë lidhje me krimin e organizuar. Gazeta shkruan se lufta kundër këtij të fundit frenohet pikërisht nga korrupsioni dhe me të ardhurat për frymë në nivele minimale për korrupsionin ka vend plot. Pavarisht një rritjeje të saj dhe investimeve të huaja në vend, vendi më i varfër i Evropës ende po punon për të zbutur disi ekonominë e tij të shfytyruar, por gjeneratat e reja vendosin të thonë “Mjaft!”. Në artikullin e zgjeruar “Financial Times” i referohet edhe lëvizjes së të rinjve që përpiqen ta nxjerrin vendin nga apatia. Ajo përcjell edhe shqetësimet e analistit Fatos Lubonja se politika në Shqipëri ka qenë një mjet për t’u pasuruar dhe për të krijuar një borgjezi që nuk ekzistonte para shembjes së regjimit të vjetër. Sfida për krijimin e një sistemi më të ndershëm dhe transparent në Shqipëri nuk është e tillë që të lejojë gabime, vazhdon artikulli. Nëse do të ishim në Azinë Qendrore, njerëzit do të thoni se Shqipëria po ecën mirë, por shndërrimi në një kandidat për anëtarsim bën që standardet për të të rriten, thotë Jan-Peter Olters përfaqësuesi i FMN-së në Shqipëri. Vendi nuk duhet lejuar të kthehet në Albanistan. /tvklan.al