Presidenti Donald Trump raportohet se ka pasur një bisedë “të nxehtë” me kryeministren e Danimarkës, Mette Frederiksen, mbi insistimin e tij se kontrolli i SHBA-së mbi Groenlandën është i nevojshëm për sigurinë kombëtare amerikane.

Financial Times shkruan se telefonata 45-minutëshe mes Trump dhe Frederiksen arriti deri në ngritje zëri. Në kohën që është zhvilluar biseda, Trump nuk e kishte marrë ende detyrën dhe ka kërcënuar me tarifa kundër aleatëve në NATO.

Zëdhënësi i Këshillit Kombëtar të Sigurisë, Brian Hughes, nuk komentoi mbi tonin e bisedës, por tha se Trump u fokusua mbi Groenlandën si pjesë e një konkurrence më të madhe mes Kinës dhe Rusisë.

“Presidenti Trump ka qenë i qartë që siguria e Groenlandës është e rëndësishme për Shtetet e Bashkuara në një kohë kur Kina e Rusia po bëjnë investime të rëndësishme në rajonin Arktik”, tha Hughes në një deklaratë.

Ai shtoi më të tej se presidenti është i angazhuar jo vetëm për të mbrojtur interesat e SHBA-së në Arktik, por po punon edhe për Groenlandën që të sigurojë prosperitet për të dyja kombet.

Sipas mediave biseda është zhvilluar më 15 Janar dhe kryeministrja daneze i është kundërpërgjigjur me deklaratën e vetë zyrtarëve të Groenlandës, që ishulli nuk është për shitje dhe se u takon banorëve atje të vendosin për pavarësinë.

Gjatë javëve të fundit, Trump nuk ka përjashtuar përdorimin e forcës ekonomike ose ushtarake për të marrë kontrollin e ishullit arktik.

Kujtojmë se Groenlanda është pjesë autonome e mbretërisë së Danimarkës./tvklan.al