Departamenti i Shtetit i SHBA-së, urdhëroi ngrirjen e financimeve të reja për pothuajse të gjitha programet e ndihmës ndërkombëtare amerikane si pjesë e përpjekjes së presidentit Donald Trump për t’i përshtatur këto programe me qëllimet e tij të politikës së jashtme.
Këto programe zbatohen kryesisht përmes Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar, USAID.
Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, u dërgoi një mesazh të gjitha ambasadave amerikane në mbarë botën duke sqaruar zbatimin e një urdhri ekzekutiv që Trump e nënshkroi më 20 janar, ku thuhej se “asnjë ndihmë e mëtejshme ndërkombëtare e Shteteve të Bashkuara nuk do të shpërndahet pasi nuk është plotësisht në përputhje me politikën e jashtme të presidentit të Shteteve të Bashkuara”.
Sipas dokumentit të brendshëm të shpërndarë në ambasadat amerikane, do të lëshohen urdhra për ndalimin e punës, deri në kohën kur sekretari do të vendosë, pas një rishikimi.
Rishikimi i të gjithë ndihmës do të duhet të bëhet brenda një afati 85 ditor për të siguruar që ndihma i përmbahet qëllimeve të politikës së jashtme të Presidentit Trump.
Sekretari i Shtetit Marco Rubio ka deklaruar më parë se të gjitha shpenzimet e SHBA-së jashtë vendit duhet të bëhen vetëm nëse e bëjnë Amerikën “më të fortë”, “më të sigurt” ose “më të begatë”.
Shtetet e Bashkuara janë donatori më i madh ndërkombëtar i ndihmës në botë që shpenzon 68 miliardë dollarë në vitin 2023 sipas shifrave të qeverisë. Njoftimi i Departamentit të Shtetit duket se prek gjithçka, nga ndihma për zhvillim te ndihma ushtarake. PërjasHtim bëjnë vetëm ndihmat urgjente ushqimore dhe financimi ushtarak për Izraelin dhe Egjiptin.
Tv Klan