Kur Agnes Darvas u deportua nga Hungaria në kampet e përqendrimit në Aushviç në vitin 1944, ajo shpëtoi pa u dërguar direkt në dhomat e gazit me fëmijë të tjerë pasi dyshohej se kishte vjedhur një pallto. Ajo dhe nëna e saj u dërguan në kampin Plaszow për të punuar me kazmë në një gurore dhe me pas u zhvendosen në një tjetër kamp përqendrimi.
“Nga Mauthausen arrita në Bergen Belsen që ishte ferri i ferrit. Nuk kishte ujë atje, nuk kishte asgjë. Gjermanët vrapuan nuk dinin çfarë të bënin. Me sa duket, i gjithë Bergen Belsen ishte minuar sepse ata nuk donin që të shiheshin numri i madh i kufomave. Çdo person që ishte atje vdiq. Një burrë që kishte një tenxhere me ujë u dha pak nga atyre që rrinin në radhë për të. Unë gjithashtu mora një tenxhere të vogël, por nuk ishte ujë, vetëm baltë”.
Në kohën kur arritën në kampin e shfarosjes Bergen-Belsen, ajo nuk mund të ecte më, vetëm të zvarritej, për shkak të tifos dhe kolerës. Në ditët para se ai kamp të çlirohej nga trupat britanike më 15 prill 1945, gjithçka e tejkalonte ferrin. Më shumë se 1.1 milion njerëz, shumica prej tyre hebrenj, u vranë në Aushviç, kampi i vdekjes i ngritur nga Gjermania naziste në Poloninë e pushtuar për të shfarosur hebrenjtë evropianë.
“Na duhej të qëndronim në një banjë gjatë gjithë natës, pasi ishim në pritje të urdhrit nëse grupi duhej për punë apo mund të shkonte në dhomat me gaz. Na morën rrobat, kishim vetëm këpucët në duar. Ne qëndruam ashtu gjithë natën, duke pritur urdhrin se çfarë të bënim me ne”.
Gjysmë milion hebrenj hungarezë u vranë atje dhe në kampe të tjera shfarosjeje naziste në vitin 1944, duke përfshirë të gjithë familjen e madhe të Darvas.
“Ne kishim një familje mjaft të madhe, 72 veta të afërm, kushërinj, halla. Pritem shume, por familja nuk u kthye. Më pas zbuluam se çfarë ndodhi në Aushviç. Ata që punonin si komandon i morën kufomat nga dhoma e gazit dhe i futën në krematorium. Ishim të tmerruar kur e dëgjuam këtë. Dukej si surreal që 500 njerëz i çojnë në dhoma në gaz dhe më pas në krematorium. Ishte totalisht e pakonceptueshme.”.
Sipas Agnes bota ende sot e kësaj dite nuk marrë mësime nga tmerret e kaluara nga aq shumë njerëz gjatë kësaj periudhe.
“Njerëzit mendojnë se nëse i kujtojnë këto, atëherë një gjë e tillë nuk do të ndodhë më. Por kjo ndodh çdo ditë. Ndoshta nuk u ndodh hebrenjve, por ndonjë etnie tjetër. Bota nuk kishte parë aq shumë mizori sa në shekullin e 20-të”.
Aushvici u çlirua më 27 janar 1945 nga ushtria sovjetike, ushtarët e së cilës liruan 7,000 të ndërsa gjermanët u tërhoqën.
Disa muaj pas çlirimit të Aushviçit, 45 roje të kampit të përqendrimit dolën në gjykatë në Lueneburg në Gjermaninë veriore, të akuzuar për vrasje masive. Të pandehurit ishin funksionarë të burgosur, të cilët kishin punuar në kampe të ndryshme përqendrimi, kryesisht në Aushviç dhe Bergen-Belsen, dhe gjyqi u quajt “gjyqi i Belsenit”.
Joseph Kramer, ishte komandanti i dy kampeve, duke shërbyer fillimisht në Aushviç dhe më pas në Bergen-Belsen. Ai u arrestua menjëherë pas çlirimit, u dënua me vdekje nga një gjykatë ushtarake britanike dhe më vonë u var.
Irma Grese ishte roje në krahun paraushtarak të nazistëve në kampet e përqendrimit të Ravensbruck dhe Aushviç. Ajo u dënua me vdekje dhe u ekzekutua në dhjetor 1945. Më 20 nëntor 1945, sytë e të gjithë botës u përqendruan në Pallatin e Drejtësisë në Nuremberg.
Vetëm pesë muaj pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, njëzet e një ish-udhëheqës të Rajhut të Tretë Gjerman u gjykuan për jetën e tyre, të paditur për katër akuza: (1) Plani i Përbashkët ose Komploti: (2) Krimet kundër Paqes: (3 ) Krimet e luftës: (4) Krimet kundër njerëzimit.
Sot, 80 vjet më vonë, ajo çka mbetet është thjesht përkujtimi, rikthimi në kohë për të mësuar të vërtetat e asaj çka ndodhi, përmes historive njerëzore, edhe të atyre që i mbijetuan kampit. Ai është shndërruar në një muze, ku më shumë se 2 milionë njerëz e vizitojnë atë çdo vit. 27 janari është dita mbarë botërorë e përkujtimit të viktimave të Holokaustit. Gjermania e përkujton këtë ditë që prej vitit 1996.
Klan News