Gjermania mbështet integrimin e shpejtë të Shqipërisë në familjen europiane dhe për këtë po vijon me financime në sektorë të ndryshëm. Ambasadori i republikës federale të Gjermanisë në vendin tonë, Bernd Borchardt, ka shprehur bindjen për futjen e vendit tonë në Bashkimin Europian brenda një periudhe të shkurtër kohore.

Bernd Borchart: “Shqipëria është tashmë partner i Gjermanisë në kuadër të NATO-s dhe në një periudhë të afërt do të jetë edhe partner në kuadër të Bashkimit Europian. Për anëtarësimin në BE duhen përmbushur një sërë kushtesh, dhe deri sa të ndodhë kjo do të duhet të presim disa vite. Por Gjermania do të vazhdojë të mbështesë Shqipërinë, si për shembull në fushën e furnizimit me ujë të pijshëm apo kanalizimet, në mënyrë që Shqipëria t’i përmbushë këto kushte sa më shpejt të jetë e mundur. Sepse është bindja jonë se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të bëhen pjesë e Bashkimit Europian dhe me siguri këtu dhe Shqipëria.”

Deklarata e diplomatit gjerman erdhi gjatë nënshkrimit me ministrinë e punëve publike të një marrëveshje për mbrojtjen e liqenit të Shkodrës, me vlerë 7.5 milionë euro financuar nga KFW.

Sokol Olldashi: “Është një program shumë i mirë ku do të vihet përfundimisht çështjen e mbrojtjes së mjedisit në zonën përreth liqenit të Shkodrës, duke filluar nga qyteti i Shkodrës, zonën e Dobraçit, zonën e Zogajt dhe të Shirokës, ku parashikohet ndërtimi i kanalizimit të ujërave të përdorura dhe impianti i pastrimit të trajtimit të këtyre ujërave.”

Angazhimi i Gjermanisë për bashkëpunimin financiar dhe teknik me Shqipërinë gjatë këtyre 21viteve të fundit ka qenë më tepër se 800 milionë euro./tvklan.al

Gazetar: Fjorald Zguro