“Kontribut në Reformën në Drejtësi dhe luftën kundër korrupsionit”
Pak ditë pasi Presidenti Meta shpalli non grata në zyrën e tij, kreun e prezencës së OSBE-së në Tiranë, Bernd Borchardt, në selinë qëndrore të kësaj organizate në Vienë, diplomati është vlerësuar për punën e tij në Shqipëri.
Borchardt parashtroi këtë të enjte përpara Këshillit të Përhershëm të OSBE-së në Vienë, raportin për misionin e tij. Vlerësime të veçanta i dha këtij raporti, nënkryetari i misionit amerikan në këtë këshill, Harry Kamian, të cilat janë bërë publike online.
“Ambasador, ne jemi dakord me deklaratën tuaj që lufta kundër korrupsionit mbetet një prej sfidave kryesore për Shqipërinë. Vlerësojmë bashkëpunimin e prezencës me institucionet shqiptare, autoritetet lokale dhe faktorin ndërkombëtar për të ofruar trajnim dhe asistencë teknike për të mbështetur përpjekjet e Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit. Shtetet e Bashkuara po bëjnë pjesën e tyre, përfshirë edhe kontributin për projektin jashtëbuxhetor të zyrës tuaj për të ngritur një program master në kriminologji në Universitetin e Tiranës”.
Borchardt mori vlerësime edhe nga presidenca sllovake e OSBE-së ku vlerësohet në veçanti puna e këtij misioni në nismat kundër korrupsionit dhe ndihma në Reformën në Drejtësi.
Tv Klan