Lajme Arkiva – TV Klan 2003
Firma turke NEMA është larguar nga Shqipëria, duke lënë në mes ndërtimin e ujësjellësit të Mirditës, i cili duhej të mbaronte dy muaj më parë. Rreth 3.5 milion dollarë është fondi i dhënë nga Banka Islamike. Shoqëria turke NEMA, pasi ka fituar tenderin ndërkombëtar, duhej edhe të përfundonte punimet, të cilat nisën në vitin 2001. Por pasi kanë realizuar vetëm një pjesë të këtyre punimeve, drejtuesit e firmës janë zhdukur, duke ndërprerë punën.
Firma me largimin e saj ka lënë, jo vetëm tubacione të pashtruara, por edhe rreth 1.4 milion lekë borxhe të pa shlyera ndaj filialit të Albtelecomit. Ky është edhe i vetmi institucion, i cili deri tani ka depozituar pranë gjykatës së rrethit edhe padinë kundër largimit të firmës turke. Por pranë gjykatës pritet të depozitojnë paditë e tyre dhe disa banorë, të cilët kishin lënë apartamentet me qira, por që detyrimet nuk janë shlyer nga turqit.
Drejtuesit e pushtetit lokal kanë kërkuar të kontaktojnë me përfaqësuesit e zhdukur të firmës, por deri tani nuk kanë mundur ta realizojnë një gjë të tillë. Të vetmen përgjigje e kanë marrë nga Ministra e Rregullim Territorit dhe Turizmit, ku ju është thënë se kjo çështje nuk u takon atyre, pasi investimi është i Bankës Islamike./tvklan.al
Gazetare – Eva Paja