Bashkimi Europian ka vendosur në dispozicion të qeverisë shqiptare një fond prej 13 milionë eurosh për modernizimin e Forcave Ushtarake Tokësore. Kjo ishte vetëm një nga përfitimet e marrëveshjes së Partneritetit me Bashkimin Europian, së nënshkruar këtë të mërkurë në Bruksel mes përfaqësueses së lartë të BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kaja Kallas, me dy ministrat shqiptarë, atë të Mbrojtjes, Pirro Vengu dhe ministrin e Jashtëm, Igli Hasani, në praninë e Kryeministrit Edi Rama.
Dokumenti u vlerësua me një rëndësi të posaçme për Forcat e Armatosura Shqiptare, si nga Kryeministri Rama, ashtu dhe Kallas, që e sheh këtë dokument si tregues të qartë të investimeve në sigurinë tonë të përbashkët.
“Ne tashmë i kemi mbështetur forcat e armatosura të Shqipërisë drejtpërdrejt dhe të dyja palët tona dëshirojmë të bëjmë më shumë, kështu që kjo marrëveshje tregon se ne do të bëjmë më shumë së bashku. Tregon qartë investim në sigurinë tonë të përbashkët. Tregon që Shqipëria do të jetë pjesë e të gjitha këtyre tavolinave të rëndësishme ku do të diskutojmë për sigurinë dhe mbrojtjen e Europës”, tha Kallas.
“Kjo marrëveshje është e rëndësishme sepse është një shenjë tjetër që lidhja jonë është e pandashme dhe që duhet të bëjmë më të mirën për ta forcuar çdo ditë e më shumë. Dua të shpreh falenderimet e mia për Bashkimin Europian, për të gjithë ata, që në emër të Bashkimit Europian po punojnë për të shtyrë përpara këtë agjendë të ribashkimit të plotë të Europës”, u shpreh Rama.
Përpara takimit të liderëve të Ballkanit Perëndimor me krerët e Këshillit Europian, Kryeministri pati takime dypalëshe, si me kryediplomaten e unionit Kallas, ashtu dhe me Komisioneren e re të Zgjerimit, Marta Kos, me të cilën u ulën edhe të martën në Konferencën e Tretë Ndërqeveritare, Shqipëri-BE, për hapjen e grup kapitullit të 6 të negocimit, atë për politikën e jashtme.
Tv Klan