Gentiana Uku tregon në emisionin “Stop” në Tv Klan se mori pjesë në portalin “mësues për Shqipërinë”, ku u rendit e dyta për mësuese biologjie në shkollën Sinaballaj dhe Gosë në Rrogozhinë. Për shkak se në emailin njoftues nuk ishte vendndodhja e zyrës së arsimit, Gentiana u paraqit disa minuta me vonesë, por drejtoresha i tha se vendin e kishte fituar kandidatja tjetër.
Denoncuesja takon drejtoreshën e ZA Rrogozhinë, Alime Hoxha, e cila nuk i jep shpjegim tjetër përveçse vonesës në paraqitje, edhe pse njoftimi nuk kishte adresë.
Denoncuesja: Unë në Rrogozhinë nuk jam paraqitur asnjëherë. Ti je shprehur, që: “Gentiana, e di.” Si ma vërteton ti mua, se unë kam ardhur këtu edhe herë tjetër?
Drejtoresha: Po ti, si ma vërteton, që nuk ke ardhur?
Denoncuesja: E di, se çfarë më është thënë nga drejtori i DRAP-it? Ka dashur dhe ta ka bërë. Procesi i portalit për një vend vakant, duhet të presë dhe kudo është pritur. Është pritur 1 orë që janë thirrur kandidatët, ti, për dhjetë minuta, për njëzet minuta, i paske kryer të gjitha procedurat? Ndërkohë që, unë nuk pashë asnjë njeri që të ikte nga këtu.
Drejtoresha: Nuk e jep dorëheqjen ajo, nuk e jep.Iku edhe ajo tjetra, që ishte poshtë asaj, iku, ishte këtu, iku.
Denoncuesja: Ka firmosur tjetra listë-prezencë?
Drejtoresha: Duhet të firmoste listë-prezencë?
Denoncuesja: Po!
Drejtoresha: Po, ka firmosur!
Denoncuesja: Ma trego pak listë-prezencën!
Drejtoresha: Po pse duhet të ta tregoj ty listë-prezencën?
Të njëjtën sjellje bën zonja Hoxha edhe me grupin e xhirimit.
Alime Hoxha, drejtoresha e ZA Rrogozhinë: Ke hyrë pa leje! Largohu!
Gazetari: Jo, jo mos më trego lejen këtu. Ti nuk më shtyn dot, ti nuk më kap dot. Drejtoreshë, përse keni bërë një procedurë tërësisht jo transparente për Gentianën, mund ta di?
Alime Hoxha, drejtoresha e ZA Rrogozhinë Sqaroje pak këtë për procedurën.
Gazetari: Jo, jo, ti je drejtoresha, nuk dua të di për rastin tjetër unë. Ju jeni drejtuesja e kësaj zyre arsimore. Të lutem, përgjigju. Jo, jo, këtë nuk e mbyll dot ti! S’e mbyll dot ti!
Alime Hoxha, drejtoresha e ZA Rrogozhinë: Ke hyrë pa leje!
Gazetari: Nuk më intereson mua me leje, pa leje. Unë jam një emision investigues. Të lutem, mos u shmang.
Alime Hoxha, drejtoresha e ZA Rrogozhinë: Më sill një kërkesë me shkrim dhe do t’jua sqaroj.
Specialisti i DRAP Durrës e quan këtë një lapsus që ai vetë ka bërë duke mos specifikuar adresën ku duhet të paraqitej fituesja.
Specialisti, DRAP Durrës: Është një lapsus, që e kam bërë unë, lidhur me specifikimin e adresës.
Ndriçim Mehmeti, ekspert i arsimit, shprehet se ky është një proces që ka hije korrupsioni. Në njoftim, sipas tij, vendndodhja duhet të ishte e mirëspecifikuar.
Ndriçim Mehmeti, ekspert i arsimit: Ky është proces, që ka hije korrupsioni. Duhet vendndodhja! Vetë procesi kërkon kohën./tvklan.al