Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Me të siguruar mandatin e dytë në krye të Shtëpisë së Bardhë, Xhoxh Bush po kërkon të bindë 55 milion amerikanët që votuan kundër, të ndryshojnë mendim dhe të mbështesin agjendën ambicioze që ai parashtron për 4 vitet e ardhshme. Puna për të vënë rregull në një mal premtimesh elektorale të vështira për t’u mbajtur fillon që sot me mbledhjen e parë të kabinetit që prej 2 gushtit.

Mandatin e dytë katërvjeçar, Bush e nis duke u përballur me shumë nga çështjet që mbizotëruan edhe mandatin e tij të parë. Inaugurimi i tij i dytë më 20 Janar, bëhet pikërisht gjatë muajit kur parashikohen edhe zgjedhjet në Irak. Presidenti e ka quajtur zgjedhjen e një qeverie demokratike në këtë vend, si çështje kryesore të planit të tij për të përhapur demokracinë në lindjen e mesme. Por sfidat që parashtron për të ky rajon, janë nënvizuar edhe nga shumë aleatë të SHBA.

Fitorja e Bushit është pritur me mosbesim të thellë në botën arabe, kur ndjenjat anti-amerikane janë mjaft të theksuara që nga pushtimi i Irakut. Madje në pohime, plot tone ironike, korrespondentët e huaj thonë, se triumfi i shefit aktual të Shtëpisë së Bardhë ia lehtëson punën edhe vendeve të tilla si Franca dhe Gjermania që e kundërshtuan me forcë këtë konflikt.

Në katër vitet e ardhshme Bush premton të vazhdojë dhe përpjekjet për të shkatërruar rrjetin terrorist të Al-Kaedas. Udhëheqësi i tij Osama Bin Laden, iu drejtua popullit amerikan nëpërmjet një video të transmetuar pak ditë përpara zgjedhjeve të 2 nëntorit, e cila më shumë se sa t’i prishte punë, duket se i dha një dorë ndihme shefit aktual të Shtëpisë së Bardhë.

Në frontin e brendshëm, presidenti përballet me atë që shumë analistë ekonomik i quajnë probleme shqetësuese të sigurimeve shoqërore dhe kujdesit shëndetësor të moshuarit, ndërsa do t’i duhet të nxisë edhe rimëkëmbjen e ekonomisë.

Bush ka marrë edhe urime nga një sërë liderësh ndërkombëtarë për fitoren e tij, duke nisur nga aleati i ngushtë, kryeministri britanik Tony Blair e deri tek udhëheqësi i sëmurë palestinez Jaser Arafat. Ai arriti të sigurojë më shumë se 51% të votave popullore dhe të paktën 274 të kolegjit elektoral. Rivali i tij demokrat e pranoi humbjen kur u bë e qartë, se nuk mund të fitonte në shtetin vendimtar të Ohaios.

Sali Berisha: “Partia Demokratike, përshëndet përzemërsisht këtë fitore të presidentit Bush dhe Partisë Republikane dhe është e bindur që shqiptarët në Shqipëri dhe kudo në rajon, sikundër gjer sot, do të kenë mbështetjen e presidentit, qeverisë dhe kombit amerikan në rrugën e tyre të lirisë, demokracisë dhe integrimit euroatlantik.”

Maqo Lakrori: “Partia Socialiste e Shqipërisë, ka bindjen e plotë, se presidenti Bush, ashtu si deri më sot, do të vazhdojë të jetë miku ynë i ngushtë, garant për integrimin tonë euroatlantik, për paqen stabilitetin dhe progresin e gjithanshëm edhe në rajonin tonë.”/tvklan.al

Gazetare: Irida Vasia