Fatos Nano ka fituar një votë më tepër në përbërjen e kupolës më të lartë të PS-së. Pas disa orë votimesh me dyer të mbyllura janë zgjedhur 17 anëtarët e rinj të kryesisë të kësaj partie. Nga llogaritjet paraprake kanë fituar 9 përkrahës të Nanos ndaj 8 të krahut tjetër. Pas zgjedhjes së sekretarëve të rinj Dokle, Koçi, Dade e Rama, të cilët bashkë me Kryetarin Nano janë automatikisht anëtarë kryesie, gara deri vonë është përqëndruar në zgjedhjen e 12 anëtarëve të rinj nga 31 kandidatë të paraqitur në votim.
Pas numërimit të votave, kryekomisionerja e votimeve Paço, ka deklaruar emrat e 12 fituesve. Në listën e të humburve në përbërje të kryesisë socialiste përmendën edhe emrat e Ministrave të kabinetit Majko, Rrapi, Ulqini, Bufi, Angjeli, Hajdaraga, Lakrori dhe figura të njohura të jetës socialiste si Pëllumbi, Islami, Legisi, Jupe e të tjerë. Me këto votime mbyllet cikli i zgjedhjeve të forumeve më të larta drejtuese të Partisë Socialiste./tvklan.al
Gazetar: Vladimir Lame