Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar është përzgjedhur nga emisioni “Opinion” si personazh i vitit 2024. Vlerësimi vjen për shkak të dy medaljeve të para olimpike që i erdhën Shqipërisë. Në studion e emisionit këtë të enjte ishte kreu i saj, Fidel Ylli.
“Janë medaljet e para. Ne na humbi Tokio për 1 kilogram”, tha Ylli për Blendi Fevziun.
Presidenti i KOKSH shpjegoi në studio uniformën, të gjithën të personalizuar, që nga syzet “Team Albania”, termusi, kapelja, ora, revista e deri te rripi me logo.
Ylli tha se Shqipëria humbi medaljen e artë për shkak të dëmit që iu bë nga gjyqtarët ditën e parë të ndeshjeve.
“Ne morëm medaljen e bronztë. Na iku medalja e artë. Na bënë një dëm shumë të madh gjyqtarët ditën e parë. Po ta tregosh videon këtu do habitesh si ka mundësi. E kishim medaljen e artë”, tha Ylli.
Shqipëria fitoi dy medalje të bronzta nga Chermen Valiev me origjinë nga Osetia dhe Islam Dudaev me origjinë nga Dagestani.
“Këta nuk kanë qenë kampionë bote, këta u bënë në Shqipëri. Këta kanë qenë sportistë normalë në vendet e tyre”, tha Fidel Ylli.
Kreu i KOKSH tha se në 30 vite Shqipërisë i kanë humbu 37 medalje pasi sportistë shqiptarë kanë përfaqësuar vende të ndryshme./tvklan.al