Tregjet financiare kanë reaguar në mënyra të ndryshme pas fitores në zgjedhje të Donald Trump përballë Kamala Harris, me ish-Presidentin që do të rimarrë drejtimin e Shtëpisë së Bardhë në janar.
Rezultatet tregojnë se tregjet amerikane të aksioneve priten të rriten, ndërkohë që në Azi, aksionet në tregun e Hang Seng janë ulur, kryesisht për shkak të frikës se Trump mund të vendosë tarifa deri në 60% për mallrat kineze, duke rritur tensionet tregtare midis dy ekonomive të mëdha të botës.
Indeksi i përbërë i Shangait (SSE) u mbyll në 3383.8, duke rënë 3.18 ose 0,094 përqind. SSE u mbyll ndërsa kandidati republikan për president të SHBA-së, Donald Trump, iu afrua 270 votave elektorale të nevojshme për të fituar zgjedhjet.
Nikkei i Japonisë u mbyll me 2.61%, niveli i tij më i lartë i mbylljes që nga 15 tetori. Ndërkohë edhe tregjet europiane pësuan një rritje gati 2% duke ndjekur rritjen e aksioneve në SHBA, pasi Donald Trump arriti fitoren në zgjedhjet presidenciale.
Carsten Brzeski, kryeekonomist tha për Reuters në bursën në Frankfurt se rezultati i zgjedhjeve në SHBA mund të nënkuptojë ‘lajm të mirë’ për ekonominë amerikane në afat të shkurtër, por patjetër ‘lajm të keq’ për Evropën dhe Gjermaninë në veçanti.
“Ne duhet të përgatitemi për një luftë të re tregtare, tarifa të reja për mallrat evropiane, për më shumë derregullim në SHBA dhe nuk kemi asnjë ide se si do të duket përgjigja evropiane. Ne gjithashtu duhet të përgatitemi për më shumë tensione mes SHBA-së dhe Kinës dhe implikimet për Evropën”.
Ndërsa edhe aksionet e Teslas në pronësi të Elon Musk u rritën me gati 13 % nxitur nga mbështetja e miliarderit për fushatën e Donald Trump.
Kjo ka sjellë një rritje të forcës së dollarit amerikan, një shpërthim të interesit për Bitcoin dhe një rënie të mundshme të çmimit të naftës. Të gjitha këto reflektojnë ndryshimet që mund të ndodhin në ekonominë globale dhe tregjet financiare nën një udhëheqje të re të SHBA.
Klan News